E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet në 60 milionë euro garancia për CEZ

Banka Botërore miratoi dje një marrëveshje për mbulimin e rrezikut të privatizuesit nga papërgjegjshmëria e mundshme e qeverisë shqiptare me vlerë 60 milionë euro për llogari të kompanisë çeke, CEZ, e cila pritet të marrë në dorëzim Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në Shqipëri pas pak muajsh. Garancia u lëshua pas negociatave të shumta, ku mësohet se CEZ ka kërkuar mbulimin e rrezikut rregullator deri në 100 milionë euro, ndërsa Banka Botërore dhe qeveria shqiptare patën njoftuar më herët se rreziku i mbuluar do të ishte jo më i madh se 50 milionë euro. Garancia do të mund të tërhiqet nga CEZ në të ardhmen, në rast se qeveria shqiptare nuk respekton marrëveshjen rregullatore, e cila nënkupton që çmimi i energjisë elektrike që do të paguajnë shqiptarët duhet të mbulojë kostot dhe fitimet e privatizuesit çek.

"Ne besojmë se garancia do të ndihmojë OSSH-në për të investuar dhe për të reduktuar humbjet", tha Demetrios Papathanasiou, përfaqësues i BB-së në Shqipëri, që merret me sektorin e energjisë. Privatizuesit e sistemeve të shpërndarjes kërkojnë garanci për sjellje "të logjikshme" ekonomike nga qeveritë e vendeve ku investojnë, pasi kanë dalë të humbur në disa raste. Dy ditë më parë, një gjykatë në Maqedoni dënoi kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, që është blerë nga EVN e Austrisë në vitin 2006, me mbi 200 milionë euro gjobë. EVN thotë se vendimi i gjykatës ishte absurd.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›