E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode-Malaj, debat për kredinë e lartë për rrugën Durrës-Kukës

Kredia 250 milionë euro, si mbështetje për buxhetin dhe financimin e Rrëshen-Kalimash, po shkakton debat të fortë mes ekspertëve më të lartë të financave shqiptare. Një ditë pas publikimit në "Shqip" të termave të kredisë (interes 11.3% dhe maturim 3-vjeçar etj.), ka reaguar me të madhe Partia Socialiste, duke akuzuar qeverinë se po rrit borxhin publik në kohë krize. Me anë të ish-ministrit të Ekonomisë, Arben Malaj, PS paralajmëron se vendi do të përballet me vështirësi të mëdha financiare, pasi kredia që po merret sot, do të paguhet shumë shtrenjtë në të ardhme. Por Ministria e Financave e mbron marrëveshjen me bankat tregtare, me tezën se kriza financiare ka ndikuar në forcimin e kredisë. Ministri Ridvan Bode tha hapur se interesi 11 për qind, për kredinë 250 milionë euro, paraqitet në përputhje me situatën në tregjet financiare, në një kohë që disa vende të rajonit nuk po mundin të marrin financim. Një ditë para debatit ka reaguar edhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, duke e cilësuar absurde marrëveshjen me bankat për të marrë kredi tregtare me interes 11 për qind.

Përplasja

Arben Malaj ngriti dje një sërë akuzash rreth marrëveshjes me bankat për të marrë kredi tregtare. Sipas tij, qeveria duhet ta informojë publikun për borxhin e madh që po krijohet në ndihmë të rrugës Durrës-Kukës, e cila në dy vjet prek shifrën e 480 milionë eurove. "Çdo kredi e marrë ka 4 elementë, që janë të detyrueshëm të njihen nga çdo pagues i saj: shuma, monedha, interesi dhe afati në të cilin duhet të paguhet. Këto kredi të rënda do të paguhen nga taksa-paguesit shqiptarë", tha Malaj. Për ministrin e Financave, kritikat e opozitës nuk qëndrojnë, për aq kohë sa plani i qeverisë synon stabilitetin financiar të vendit, duke futur në ekonomi qindra miliona euro, në formë investimesh. "Marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat evropiane dhe bankat e vendeve të tjera përbën një sukses për ekonominë shqiptare. Qeveria shqiptare mundësoi që të financojë në këtë vit të krizës financiare ndërkombëtare dhe krizës globale, të importojë e të injektojë në ekonominë shqiptare një shumë prej rreth 250 milionë eurosh si kufirin maksimal", tha kreu i Financave. Në këtë pikë, marrja e kredisë në euro shikohet nga Malaj si risk për shqiptarët, të cilët në kushte të dobësimit të lekut, do ta kenë të vështirë ta shlyejnë borxhin. "Nëse qeveria pretendon se kostoja totale e këtij segmenti është rreth 650 milionë euro, 75% e kësaj rruge nuk është ndërtuar me para të mbledhura nga buxheti, por me borxh në rritje dhe me kosto të rëndë për taksapaguesit shqiptarë", tha ish-ministri socialist, duke shtuar se kriza e borxheve të rënda ka prekur sot disa vende të Evropës Lindore. Ministri Bode e pranon faktin e krizës në rajon, madje e përdor si mjet efikas për të bindur opinionin se Shqipëria arriti të merrte kredi, kur të tjera vende nuk e patën mundësinë. "Ka shumë vende të tjera të rajonit tonë, vende në tranzicion, të cilat kanë kërkuar kredi edhe me 20% apo 23% dhe nuk kanë mundur dot të kontraktojnë, për arsye se ekonomitë respektive nuk japin besueshmëri te bankat për të dhënë kredi", tha Bode. Pikërisht tek interesi i kredisë, Malaj gjen rastin të kritikojë qeverinë, se termat e marrëveshjes me bankat nuk janë të përshtatshme. "Çdo shqiptar e kupton se sa më e lartë është norma e kredisë që ata marrin, aq më e rëndë ajo do bëhet të nesërmen. Normat e larta të interesit, nga 11,5 deri në 15%, janë shumë të rënda për të nesërmen", tha deputeti i PS-së, që njëkohësisht është dhe nënkryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë. Përgjigjja e Bodes për interesin e kredisë, 11.3% (euribor plus 9.65%), lidhet me kushtet që ofron tregu. "Në treg nuk mund të thuhet kurrë që u mor shtrenjtë apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu. Ne, dy vite më parë kemi marrë kredi me 5.2% interes nga të njëjtat banka, kurse tani kushtet ndryshuan, pasi paraja është bërë tepër e vështirë për t‘u gjetur", vijoi Bode.

Debati në distancën prej 500 metrash (qeveri-kuvend) mes Bodes dhe Malajt (konferencat zhvilloheshin paralelisht në orën 12:00), vijoi me efektet që do të jepte kredia prej 250 milionë eurosh dhe nëse ishte kaq e domosdoshme të merrej në këtë kohë krize. "Vendi ynë nuk ka hapësirat e nevojshme fiskale që të rrisë deficitin, borxhin publik dhe koston e tij. Nëse vazhdohet kjo politikë fiskale, vendi në të ardhme do shkojë drejt një situate shumë më të rëndë", tha Malaj. Sipas tij, institucionet financiare ndërkombëtare dhe Banka Qendrore, në mënyrë të përsëritur dhe publike, i kanë kërkuar qeverisë të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm në reduktimin e rënies së të ardhurave në buxhet dhe sidomos në shkurtimin e shpenzimeve joefektive, si rruga më e mirë për të ulur risqet në rritje në financat publike. Sa u takon institucioneve financiare të huaja, ministri Bode garantoi se ka marrë qëndrime inkurajuese për marrjen e kredisë. "Kredia është diskutuar edhe me FMN-në dhe me BB-në. Sugjerimi i tyre ka qenë se, ‘e rëndësishme sot është që ju, në qoftë se do të arrini të merrni kredi në tregun ndërkombëtar, përbën një sukses shumë të madh‘. Nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilën do e merrni, pasi sot nuk ofrohen para", tha ministri.

Berisha:

Të huajt

na besuan

Kryeministri Berisha përgëzoi dje në mbledhjen e qeverisë, Ministrinë e Financave për punën e mirë, rreth marrëveshjes së arritur për kredinë tregtare. "Marrëveshja e arritur tregon edhe një herë që të huajt kanë besim te qeveria dhe performanca e mirë buxhetore", tha Kryeministri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›