Berisha: Rritja ekonomike është 11 për qind
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje, se reformat e ndërmarra nga kjo qeveri kanë bërë, që Shqipëria të hyjë në orbitën e vendeve me rritje të shpejtë ekonomike. Duke folur gjatë mbledhjes së radhës së grupit demokrat, Berisha analizoi raportin e Bankës Botërore “Si të bësh biznes”, të cilin e vlerësoi si një zhvillim shumë pozitiv për Shqipërinë, pas nënshkrimit të MSA-së dhe marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. “Sot tabloja ekonomike e Shqipërisë, apo gjendja ekonomike e shqiptarëve është e paprecedentë në tërë historinë e pluralizmit. Kjo është periudha tremujore me rritjen më të lartë ekonomike dhe inflacionin më të ulët. Pra, Shqipëria sot është vendi me inflacionin 2.5% dhe me rritje ekonomike rreth 11%”, tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, “objektivi më i vështirë i kësaj qeverie ka qenë vendosja e Shqipërisë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike dhe kjo është realizuar në mënyrë të shkëlqyer”. “Orbita e rritjes dyshifrore është shumë e rrallë në Evropë. Është një avantazh i jashtëzakonshëm, kështu që shqiptarët ndihen dy herë më optimistë dhe dy herë më të bindur tek vendi dhe e ardhmja e tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.