E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: SHKB, projekti për superministri të Brendshme

 

Partia Socialiste shprehet se qeveria po synon të ndërtojë një super Ministri të Brendshme, përmes së cilës do të kontrollojë shumë institucione. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në Asamblenë socialiste, Manjani, tha dje se PS-ja nuk do të miratojë p/ligjin për SHKB-në. “Me këtë projektligj qeveria synon të ndërtojë një super Ministri të Brendshme, e cila ka në dorë Policinë e Shtetit, Policinë Gjyqësore, madje edhe Prokurorinë dhe SHISH-in”, tha Manjani. Sipas kreut të Komisionit të Ligjeve në PS, nëpërmjet këtij p/ligji synohet të ndërtohet një strukturë mbikëqyrëse e Policisë së Shtetit dhe paralele me Prokurorinë dhe me SHISH-in. “Kompetencat e papërcaktuara qartësisht për SHKB-në do të shkaktojnë përplasje ndërmjet këtyre institucioneve, nga ku fiton gjithmonë pushteti më i fortë, pra ai i qeverisë. Kjo është një tjetër tentativë e qeverisë për të vënë nën kontroll institucionet e autoritetet ligjore të pavarura nga qeveria”, tha Manjani. Sipas tij, “PS-ja nuk mund të pranojë këtë projektligj që cenon pavarësinë e organeve të hetimit dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit. Ne nuk mund të miratojmë një projektligj të tillë, që krijon mundësi për ndërhyrje joligjore e jodemokratike të qeverisë në jetën private të qytetarëve, e as në kompetencat e institucioneve të pavarura të shtetit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›