Kontrolli i Pasurive, jepet pëlqimi për kandidatët e Topit
Komisioni parlamentar i Ligjeve dha dje pëlqimin për dy kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Kontrollit e Deklarimit të Pasurive. Anëtarët e këtij komisioni zhvilluan një seancë dëgjimore me dy kandidatët e propozuar, Bashkim Dedja dhe Adriatik Llalla, gjatë së cilës u njohën me figurën dhe karrierën e tyre. Pasi morën vlerësimin pozitiv nga anëtarët e komisionit të Ligjeve dy kandidaturat do të kalojnë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Dy kandidatëve iu kërkua nga komisioni, që të paraqesin një dëshmi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, se nuk janë ndjekur më parë penalisht. Në datën 14 Korrik 2008 Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi propozimet për postin e Inspektorit të Përgjithshëm për Kontrollin e Deklarimit të Pasurive. Sipas ligjit, “Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar”. Ish-inspektores së Përgjithshme, Fatmira Laskaj, i përfundoi mandati pesëvjeçar më 10 korrik të këtij viti.