Berisha: Rritje pagash dhe pensionesh, siç e premtuam
Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë çdo dyshim, duke konfirmuar se në muajin maj do të rriten pagat dhe pensionet, siç ka premtuar. I pranishëm në Lushnjë, ku përuroi autostradën Lushnjë-Fier, një rrugë me katër korsi, Berisha tha se pavarësisht pretendimeve të FMN-së apo kritikave të opozitës, qeveria nuk do të lërë në baltë buxhetorët. Kreu i mazhorancës i ka cilësuar propozimet e opozitës si lot krokodili. “Më duhet t’u them zotërinjve të opozitës: Mos derdhni lot krokodili, mos u bëni kallogjerë që ndillni çdo ditë zi dhe vetëm zi. Është e vërtetë që ka një krizë botërore të rëndë, është e vërtetë se ajo pasqyrohet kudo, por është e vërtetë se qeveria ime disponon çdo qindarkë për të rritur pensionet, pagat, ashtu siç ka premtuar, për të dyfishuar pensionet tuaja në 1 maj dhe për të dyfishuar rrogat e arsimtarëve, të infermierëve, për të filluar të gjitha projektet që shpalla këtu para jush”, - deklaroi Berisha. Duke folur përpara mijëra qytetarëve nga Myzeqeja, Berisha tha se qeveria ka mbajtur premtimet. Ai kërkoi votën e qytetarëve, jo për punën e bërë, por për projektin e katër viteve të ardhshme. “Ne kërkojmë votën për projektet e mëdha që kemi përpara, ne kërkojmë votën, sepse duam të urbanizojmë tërësisht Myzeqenë, sepse duam të ofrojmë infrastrukturën më moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë. Ne kërkojmë votën, sepse në mandatin e dytë ne e shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në Ballkan dhe më gjerë”, - tha Kryeministri. Duke u ndalur më tej në mandatin e dytë, Berisha shtoi se qeveria e tij do të barazojë pensionet, duke mos lënë disbalancën që ekziston mes pensioneve në fshat dhe qytet. “Garantoj se ky është vetëm hapi i parë, sepse ne do të zhdukim përfundimisht diferencimin e pensionit të fshatit dhe qytetit dhe do të shkojmë drejt barazimit të plotë të pensioneve”, - tha ai. Kreu i qeverisë premtoi investime shtesë në infrastrukturë. Për zonën e Myzeqesë, ai tha se janë gati për të nisur nga ndërtimi 5 rrugë të reja, ndërsa premtoi se në katër vitet në vijim, pritet dyfishim i investimeve në zonat rurale. “Në 3 vjet e 8 muaj ne kemi investuar 1 miliard e 600 milionë dollarë në fshatrat e Shqipërisë, në mandatin e dytë ne do të investojmë 2 herë më shumë se në mandatin e parë për fshatin shqiptar”, - tha Berisha. Lideri i mazhorancës nuk harroi anëtarësimin në NATO dhe kërkoi nga qytetarët që të shkojnë të aplikojnë për letërnjoftimet e reja, në mënyrë që të bëhen pjesë e standardeve më të larta. “Ne patëm fatin të marrim një letërnjoftim nga më modernët që ekziston sot në Evropë, t’i merrni që të zhvillohen zgjedhje më të lirat dhe më ndershmet që ka njohur Shqipëria ndonjëherë, t’i merrni që t’u dëshmojmë partnerëve tanë se ne kemi dokumentet me të sigurta të identitetit, që ne e meritojnë plotësisht heqjen e vizave”, - deklaroi Berisha.