Thirrja, pushteti lokal të ulë taksat
Kryeministri Sali Berisha, nga Lushnja i bëri thirrje pushtetit lokal të ulë taksat. Berisha përmendi në veçanti kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke i kërkuar atij të kontribuojë në parandalimin e pasojave të krizës. “Zotërinj opozitarë, mos harroni se në rast se Shqipëria e mbylli vitin 2008 me rritjen më të madhe në Evropë, e mbylli në sajë të politikave të drejta të kësaj qeverie, kundër të cilave ju votuat non stop vazhdimisht në Parlament. Bëhuni shembull që të besoheni. Nëse doni të kontribuoni në parandalimin e pasojave të krizës, ulni taksat dhe tatimet për bashkitë që qeverisni”, - tha Berisha. Në të kundërt, Kryeministri tha se qeveria do të marrë masa, duke vendosur një kufi. “Nga njëra anë, kryetari i PS-së dhe njëkohësisht kryebashkiaku, bërtet për krizën, nga ana tjetër, ka katërfishuar taksën e gjelbërimit dhe del e numëron pemët, siç numëron votat e Këshillit të Bashkisë: 3, 5, 7, 11. Unë ju bëj thirrje, konsiderojeni seriozisht uljen e taksave. Keni një javë afat, në të kundërt, qeveria do të vendosë “kufirin te thana”, - deklaroi Kryeministri.