Mbaron autostrada Lushnjë-Fier, gati 5 rrugë të tjera në Myzeqe
Autostrada Lushnjë-Fier tashmë përfundoi duke e kthyer udhëtimin mes këtyre dy qyteteve në një komoditet. Rruga prej 21.5 kilometrash, e cila kushtoi 20 milionë euro me fond nga italianët, ka parametrat më të mirë të kohës. Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në përurimin e përfundimit të ndërtimit të rrugës, tha se autostrada lidh dy epiqendrat e Myzeqesë. Ai premtoi më tej edhe 5 rrugë të tjera të rëndësishme në këtë zonë. Sipas tij, së shpejti fillon rruga Fier-Cakran, rruga Divjakë-Pushimi i Shoferit, rruga Lushnjë-Ballagat-Peqin, rruga Kosovë-Belsh. Kryeministri tha më tej se në 3 vjet e 8 muaj është investuar 1 miliard e 600 milionë dollarë në fshat, ndërsa në mandatin e dytë premtoi 2 herë më shumë. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, ministri i Transportit, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të kompanisë etj.