E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rrugët e Tiranës si në Mesjetë

 

Dilaver Xhelili

Berisha e Rama përplasen nga qyteti i Beratit për mënyrën e qeverisjes dhe mbajtjen e premtimeve. Kreu i qeverisë rinisi turin “Shqipëria po ndryshon” me disa inaugurime në komunën Poshnje dhe rrugën hyrëse të qytetit, ndërsa kreu i Partisë Socialiste vijoi turin e takimeve me vullnetarët e këtij qyteti. Në nisje të inaugurimeve, Kryeministri Berisha theksoi se në katër vjet qeveria e tij ka investuar rreth 1.6 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, ai krahasoi rrugët e kryeqytetit me ato të Mesjetës. “Këtë e them me sinqeritet sepse në Tiranë mund të gjesh qindra km rrugë me gropa sikur je në Mesjetë dhe jo në kryeqytetin e vendit”, theksoi Berisha. Nga qyteti i Beratit kreu i qeverisë premtoi nisjen e punimeve për boshtin e Jugut brenda këtij viti, duke deklaruar se përfundimi i tij do të jetë objektiv madhor i mandatit të dytë të kësaj maxhorance. “Boshti Qendror i Jugut e shndërron Beratin ashtu siç e kanë ndërtuar gjyshërit dhe të parët tuaj, në një nga epiqendrat e fuqishme të zhvillimit të vendit. Boshti Qendror i Jugut afron Beratin, Tepelenën, Sarandën dhe Gjirokastrën rreth 70 km me Tiranën. Ndërtimi i tij do të nisë gjatë vitit 2009, por ne nuk mendojmë vetëm për Beratin dhe qendrën e tij apo autostradat dhe akset kombëtare, ne po mendojmë për çdo rrugë dhe rrugicë të këtij vendi”, vijoi më tej Kryeministri Berisha gjatë një takimi me qytetarët, pasi inauguroi fillimin e punimeve në rrugën hyrëse të qytetit. Gjithashtu, ai theksoi se veç ndërtimit të Boshtit të Jugut, objektiv i mandatit të dytë do të jetë edhe mbjellja e 20 milionë rrënjë ullinjve. Një ditë më parë, kreu i PS-së Edi Rama vijoi turin e takimeve me vullnetarët e këtij qyteti. Sipas tij politika e vjetër ka marrë peng ëndrrën evropiane të shqiptarëve. “Problemet e njerëzve qëndrojnë të pazgjidhura përtej ndasive partiake që politika e vjetër i ushqen prej 18 vjetësh, deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë, u ka futur grindjet dhe tifozllëkun e verbër partiak, pikërisht sepse është e paaftë t’i zgjidhë problemet, duke i kthyer njerëzit në tifozë, duke i verbuar me dufin e urrejtjes dhe me yshtjen e mllefit, që politika e vjetër ka arritur të realizojë 18 vjet me radhë, devizën “përça dhe sundo””, u shpreh më tej kreu i PS-së. Sipas tij “qytetarët e këtij vendi nuk kanë më nevojë për një politikë që t’ju jap arsye për t’u ndarë. Qytetarët e qytetaret e këtij vendi kanë nevojë për një politikë që t’ju jap arsyen për t’u bashkuar dhe për të kthyer faqen e dasisë 18-vjeçare. Politika e re është fundi i urrejtjes dhe cinizmit, është rënia e barrikadës së interesave personale, klienteliste, nepotike, partiake, që politikanët kanë ngritur pushtet me ata që i çojnë në pushtet, me njerëzit”.

Berisha për Ramën

• Në Tiranë mund të gjesh qindra km rrugë me gropa sikur je në Mesjetë dhe jo në kryeqytetin e vendit
• Ndryshim janë shkollat e reja, rrugët që asfaltohen, ujësjellësit që ndërtohen, kanalizimet që sistemohen, nuk janë mashtrimet që kryetari i Partisë Socialiste bën. Ai e ka konceptuar ndryshimin si mashtrim dhe sharje
• Nga këtu dua t‘i them se ‘ndryshimi i tij’ ka fatin e brymës në gjethen e një peme, që e shkrijnë rrezet e para të diellit. Dhe ndryshimi i ynë do ta shkrijë që në orët e para të mëngjesit ‘ndryshimin e tij’ dhe do ta nxjerrë zotin Rama ashtu siç del ai vetë.

Rama për Berishën

• T’i hapim rrugë ëndrrës evropiane të marrë peng nga politika e vjetër e pabarazisë, që varfëron të papushtetshmit dhe mbingop pushtetarët.
• T’i hapim rrugë ëndrrës evropiane të marrë peng nga politika e vjetër e zanatçinjve të urrejtjes e të ndasive mes njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. 
• Politika e re është fundi i urrejtjes dhe cinizmit, është rënia e barrikadës së interesave personale, klienteliste, nepotike, partiake, që politikanët kanë ngritur pushtet me ata që i çojnë në pushtet, me njerëzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›