E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbahen padrejtësisht në spitalin e burgjeve”

 

TIRANE - Të burgosur që vuajnë nga sëmundje mendore mbahen padrejtësisht në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë, ndërkohë që në Durrës është ndërtuar instituti i përshtatshëm për ta. Kjo për shkak të mungesës së një rregulloreje të përbashkët mes Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë, që do të zgjidhte këtë problem. Lajmi u bë i ditur nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Në një shkresë drejtuar pak ditë më parë krerëve përkatës të dy ministrive, të cilën ia bën me dije edhe kryeministrit të vendit, Dobjani kërkon marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen përfundimtare të trajtimit ligjor të të sëmurëve mendorë, të dënuar me burg. Dobjani vlerëson ndërtimin e objektit të Institutit të Psikiatrisë Ligjore në Durrës. Por sipas tij mospërmbushja e detyrave të nevojshme nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë, po "mban peng" fillimin e funksionimit të këtij instituti. "Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë nxjerrë akoma rregulloren e përbashkët të parashikuar në ligjin 'Për shëndetin mendor', e cila do të përmbajë funksionimin sipas ligjit të Institutit të Psikiatrisë Ligjore", thuhej në shkresën e dërguar ministrit Enkelejd Alibeaj dhe ministres Anila Godo. Bëhet e ditur se kjo rregullore do të ndajë dhe koordinojë përgjegjësitë  e sigurisë midis shërbimit (perimetrik) të ruajtjes që do të realizohet nga Policia e Burgjeve dhe shërbimit shëndetësor që do të mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë. Në vijim Dobjani pohonte se, "Ministria e Shëndetësisë nuk po merr ende masat e nevojshme për marrjen dhe arredimin e ambienteve, caktimin e stafit mjekësor dhe hapjen sa më parë të institutit, në përmbushje të nevojave imediate të pacientëve që do të strehohen brenda tij". "Ka ardhur koha që dy ministritë përkatëse t'i japin fund zvarritjeve të mëtejshme në përmbushjen e këtij detyrimi", theksonte Dobjani në shkresë. Në përfundim Avokati i Popullit rekomandonte zgjidhjen përfundimtare të trajtimit ligjor të të sëmurëve mendorë dhe hartimin e nënshkrimin e rregullores së përbashkët mes ministrive. "Në sintezë të punës tonë 8-vjeçare për këtë çështje, është konsideruar veçanërisht shkelje flagrante, mbajtja e të sëmurëve mendorë në Qendrën Spitalore të Burgjeve Tiranë, kur ndaj tyre gjykatat kanë vendosur mjekimin e detyruar në një qendër spitalore civile të specializuar", pohonte Avokati i Popullit.                ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›