E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Berisha-Topalli të tërhiqen nga Ligji

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste i bëri apel dje maxhorancës të tërhiqet nga ligji i Lustracionit. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj i kërkoi “dyshes Berisha Topalli të tërhiqet nga ligji i Dosjeve, pasi vendi po futet në një rrugë pa krye”. Duke reaguar menjëherë ndaj qëndrimit të PS-së për ligjin e Lustracionit, zëdhënësi i grupit të deputetëve demokratë Aldo  Bumçi u shpreh se “PS mbahet peng nga lidhjet e shumëfishta me regjimin komunist dhe historinë e tij çnjerëzore”. “Berisha dhe Topalli të dëgjojnë kritikat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria nuk mund të hyjë në familjen euroatlantike me mendësitë e tyre enveriste; Të respektojë Gjykatën Kushtetuese me atributet që i jep ligji, sepse nuk hyjmë dot në familjen euroatlantike duke u sjellë me të si në republikat e bananeve; Të reflektojë ndaj opozitës dhe ne jemi gati të japim një variant kushtetues dhe evropian që ka në themel parimet dhe Kriteret e Këshillit të Evropës e ta votojmë atë jo duke turpëruar, por duke nderuar Shqipërinë”, u shpreh Leskaj dje gjatë një konference për shtyp. Duke shprehur qëndrimin e socialistëve për çështjen e zbardhjes së të kaluarës, kryetarja e grupit të deputetëve tha se “ne kemi qenë e mbetemi koherent në qëndrimin tonë, për një trajtim të së kaluarës sipas standardeve, jo sipas interesave përveçme apo ato të çastit”. Leskaj i cilësoi të ashpra kritikat dhe vlerësimet e faktorit ndërkombëtar për këtë ligj dhe i kërkoi maxhorancës të mos i injoroi ato sepse, sipas saj kjo do të jetë kosto për gjithë vendin. “Dje, presidenca e BE ka bërë të qartë se rrezikohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ndërkohë Kryetarja e Kuvendit po dje ka deklaruar se ditën e hënë do miratojë në Kuvend Autoritetin, pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Injorimi i qëllimtë nga ana e tandemit Berisha – Topalli, të këtyre mesazheve, duke abuzuar me krimet e së kaluarës komuniste, me qëllimin e vetëm për të mbuluar mëkatet e sotme, kanë vënë në rrezik serioz hapat integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike”, tha Leskaj. Partia Demokratike iu përgjigj kryetares së grupit të deputetëve socialistë me anë të zëdhënësit të grupit, Aldo Bumçi. ‘Me qëndrimin e saj ndaj ligjit të Lustracionit, PS po dëshmon se është trashëgimtare e vërtetë e Partisë së Punës dhe e historisë mizore të krimit komunist kundër popullit të tij”, u shpreh Bumçi. Ai vuri në dukje se “në një kohë që kreu i PS-së flet gjithmonë për politikën e re, nga ana tjetër ai nuk është në gjendje të dënojë krimin komunist, duke dëshmuar se emri i vërtetë i tij është ‘Edi Dosja’”. Sipas tij, “nuk ka asnjë moral njerëzor që të justifikojë këtë qëndrim të turpshëm të PS-së dhe Kryetarit të saj ndaj historisë së diktaturës komuniste më të përgjakshme në kontinentin evropian, ku u dënuan me varje, u pushkatuan dhe vdiqën në tortura mbi 5 mijë shqiptarë, u burgosën 16 mijë të tjerë dhe u internuan me mijëra”.

BE kundër “Lustracionit”

Bashkimi Evropian reagoi dy ditë më parë ndaj ligjit të Lustracionit dhe i kërkoi qeverisë të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit. “BE i kërkon qeverisë shqiptare të mbrojë, sigurisht edhe në procesin e Lustracionit, pavarësinë e institucioneve kushtetuese, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, gjykatat dhe Prokurorinë. Sipas Bashkimit Evropian Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim para se ligji të zbatohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›