LSI: S’kemi ndryshuar qëndrim ndaj buxhetit
LSI nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim lidhur me buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili tha dje se: “Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi për këtë projektbuxhet, i cili është kundërshtuar fuqishëm nga LSI, si një projektbuxhet spekulativ e korruptiv dhe i ndërtuar me qëllimin e vetëm për të vjedhur e shpërdoruar paratë e qytetarëve të Tiranës”. “Askush të mos ketë asnjë iluzion se LSI do të lejojë që Ramat dhe Kokëdhimat të grabisin buxhetin e qytetarëve siç kanë bërë për 11 vite me radhë. Askush nuk duhet të ketë një iluzion se LSI do të lejojë, që paratë e qytetarëve të varrosen duke mbushur gropat e bulevardit me rërë e bitum nën shi e të vidhen me miliona publikisht”, tha Vasili. Duke sqaruar pozicionin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Vasili tha se “ai ka refuzuar prerë të legjitimojë një aferë të tillë të pistë të një votimi që do të mbahet mend gjatë si një nga ngjarjet më të rënda dhe turpi i Bashkisë së Tiranës kur Kryetari i Bashkisë bleu votat e këshilltarëve të djathtë dhe më pas numëroi po vetë votat e vjedhura”. “Asnjë aleancë PS dhe PD e hapur apo e fshehtë për të miratuar projektbuxhetin nuk do të ndalë LSI për të bërë transparencën e çdo paraje të buxhetit të Bashkisë së Tiranës dhe këshilltarët e Bashkisë së Tiranës së bashku me qytetarët do të jenë tribunët e antikorrupsionit”, tha Vasili.