Takimi Ceka-Berisha përçan PAD
Bashkimi i Neritan Cekës me Sali Berishën në kuadër të koalicionit me PD për zgjedhjet parlamentare 2009 nuk u ka pëlqyer anëtarëve të kësaj partie. Anëtarët akuzuan Cekën se zgjodhi interesat vetjake përpara interesave të partisë që drejton. Gjashtë anëtarë të Partisë Aleanca Demokratike deklaruan zyrtarisht dje largimin nga partia ku bënin pjesë prej vitesh. Xhevahir Ahmetliu (anëtar i asamblesë dhe kryetar i degës nr 9, Tiranë i PAD), Zydi Kroi, Aziz Babaci, Xhemal Dauti, Zoi Kote e Lulzim Lumi akuzuan sot nëpërmjet një deklarate për shtyp kreun e PAD, Neritan Ceka se: “Dënojnë veprimet e Cekës për vendimin që mori duke u rreshtuar në koalicion me PD, pa marrë mendimin e organeve drejtuese të partisë”. ”Në planin politik është e drejta e gjithkujt, që të marrë pozicionet që dëshiron vetë partia, në pranin organizativ minimalisht përpara preferencave vetjake duhet të merren mendimet e organeve drejtuese të partisë. Mesa dimë ne, një vendim i tillë nuk është marrë, janë anashkaluar strukturat partisë”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga 6 anëtarët e mësipërm. Si rrjedhojë anëtarët tashmë të larguar gjykojnë se “Presidenti i Aleancës Demokratike Neritan Ceka ka parë interesat vetjake dhe jo të partisë që drejton”. Anëtarët zbulojnë se qëndrimi i ardhshëm politik do të jetë pranë atyre forcave politike të majta, që do të mbrojnë interesat e popullit, kushtetues dhe drejtësisë. PAD aktualisht në Parlament ka vetëm një deputet, Neritan Cekën që me votat e maxhorancës u zgjodh nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Ceka zyrtarizoi para dy ditësh koalicionin e PAD me PD në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që pritet të realizohen në 28 qershor. Bashkë me Cekën, deputet i PAD ka qenë edhe Pirro Lutaj, por ky i fundit zgjodhi të kalojë me PS.