Rama, grupit: Jo qëndrime radikale në Kuvend
Përplasen dy linja të ndryshme në grupin socialist
Kreu i PS-së nuk pranon idenë e bojkotit
Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar socialist shënoi një tjetër ndarje mes atyre që mendojnë për një opozitë radikale dhe atyre që mbështesin opozitën e butë. Përfaqësues i kësaj të fundit ishte kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nuk e ka parë të udhës që të mbajnë qëndrim radikal lidhur me incidentin në Kuvend dy ditë më parë mes Kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist Balla.
Pas këtij incidenti, PS-ja mblodhi grupin e saj parlamentar në një mbledhje të jashtëzakonshme ku mjaft deputetë kërkuan që të gjendeshin makinacionet e duhura për një bojkot të mundshëm të Kuvendit në shenjë proteste dhe garantimin e arsyeve për t’u kthyer sërish në Kuvend në muajin shtator. Pavarësisht se tonet ishin normale, ndarja për qëndrimet e mëtejshme ishte mjaft e qartë. Burime nga mbledhja e grupit thanë dje për “Standard” se përballë këtyre mendimeve, Rama është shprehur se nuk është momenti për të mbajtur qëndrime radikale. Kjo do të bëhej sipas tij, vetëm nëse do të ishte sesioni i fundit parlamentar. “Në rast se do ishte sesioni i fundit, do mbanim një qëndrim radikal. Kjo është e pamundur, problemi është jo yni, por i Saliut. S’kemi pse bëhemi pjesë. Sot të gjithë shqiptarët do shohin Sali Berishën. Kjo është luftë nervash përballë një spektatori që është populli, që nesër do të na votojë. ǒdo bëjmë ne? Dinjitet dhe cilësi. Këto dy gjëra duhet të na shoqërojnë në çdo hap deri në zgjedhje. Tre elemente janë që ne të kemi progres: bashkëpunim, organizim dhe komunikim. Sa më shumë të bëjmë kontrast me mazhorancën, aq më shumë do fitojmë”. Me këto fjalë Rama ia ka arritur që të bindë deputetët e vet se nuk ishte momenti i duhur për një bojkot të Parlamentit, duke bërë kështu që PS-ja të dalë dhe të dënojë incidentin. Ideja e tij është përforcuar nga vetë deputeti Balla, i cili deklaroi në grup se braktisja e Kuvendit në këtë moment është komfort për mazhorancën. “Po të ikim nga Parlamenti i bëjmë nder Saliut që opozita iku. Miqësisht kërkoj që për 5-minutëshin herën tjetër të kërkohet se pse jam larguar. Po të largohemi në momentin kur ai bën ndryshime në qeveri është një komfort ndaj tij”, - tha Balla. Ndërsa deputeti Bashkim Fino është ai që ka këmbëngulur për bojkot së bashku me Qemal Minxhozin. “Të gjendjet një mënyrë që të mos shkojmë këto dy seanca dhe pastaj të mendojmë si të kthehemi në shtator. S’duhet të marrim pjesë, na kanë përdhunuar, na kanë sharë dhe të kthehemi prapë është anormale”, - mësohet të jetë shprehur Bashkim Fino.
Ndërsa deputeti Erion Braçe i ka rekomanduar Ballës që të bëjë kallëzim penal ndaj Kryeministrit. Nga ana tjetër, burimet thanë se Gramoz Ruçi ka kërkuar që çështja të vazhdohet nga deputetët e PS-së dhe deputeti Balla të çlirohet nga kjo çështje për shkak të impenjimeve të tij familjare.
“Taulanti të çlirohet, të bëjë i qetë ceremoninë pasi tani është çështja jonë. Kudo nëpër parlamente ndodhin sharje e ofendime, por e veçanta është se këtë e krijoi Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit. A do jemi ne në gjendje që t’u tregojmë faktorëve ndërkombëtarë që kush është Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit”, - është shprehur Ruçi. Por gjithçka ka marrë fund me qëndrimin e Ramës, duke denoncuar publikisht incidentin mes palëve.