Përdori fjalë fyese, ndëshkohet Taulant Balla
Byroja e përjashton për 2 javë nga Kuvendi
Sipas vendimit, ai ka shkelur nenet e Rregullores
Debati i ashpër me Kryeministrin e vendit i ka kushtuar rrogën e një 15-ditëshi deputetit socialist të Librazhdit. Byroja Parlamentare përjashtoi dje nga pjesëmarrja në parlament për një afat kohor 15-ditor deputetin Taulant Balla. Me katër vota pro dhe një kundër, Byroja pranoi propozimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për marrjen e masës disiplinore ndaj Ballës për shkak se ka shkelur disa nene të rregullores. Në relacionin shoqërues të këtij vendimi thuhet se Byroja e Kuvendit, e mbledhur në datë 22.7.2008, diskutoi mbi marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Taulant Balla, për sjelljen e tij në seancën plenare të datës 21.7.2008, në shkelje të neneve 62 dhe 65 pika 2 e rregullores. “Anëtarët e Byrosë konstatuan me shqetësim se deputeti Taulant Balla, në mënyrë të përsëritur ka shkelur nenet 62 dhe 65, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, ka përdorur fjalë fyese, ka shkaktuar rrëmujë në seancë plenare dhe nuk i është bindur urdhrit të Kryetares së Kuvendit për të lënë sallën e seancës plenare, - thuhet më tej në këtë relacion. Nisur nga kjo, shpjegohet se Byroja e Kuvendit i konsideroi sjelljet e deputetit Taulant Balla si shkelje e hapur e neneve 62 dhe 65, pika 2 e Rregullores së Kuvendit dhe vendosi përjashtimin e tij nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve dhe seancës plenare për një periudhë 15-ditore. “Masa ndaj tij ishte e vonuar. Byroja nuk mund të pranojë të shndërrojë Parlamentin në arenë shpifjesh e turpi”, - thuhet në relacion. Sipas relacionit të paraqitur në Byro, deputeti Taulant Balla, gjatë seancës plenare të datës 21.7.2008 është sjellë në mënyrë të padenjë dhe të përsëritur duke përdorur gjuhë ofenduese e provokacione të ulëta duke shkaktuar rrëmujë në sallën e seancës plenare, e për rrjedhojë, duke krijuar probleme serioze në mbarëvajtjen e punës së Parlamentit. Njëkohësisht theksohet se Kryetarja e Kuvendit i ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të vazhdueshme deputetit Balla, por ai ka vazhduar të kryejë shkeljet e mësipërme në kundërshtim të hapur me nenet 62 dhe 65 të Rregullores së Kuvendit. Bazuar në nenin 65, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar të dalë nga salla dhe ka ndërprerë seancën plenare. Sipas relacionit, deputeti Balla nuk i është bindur këtij urdhri dhe ka kundërshtuar daljen nga salla. Për më tepër, ai ka vazhduar të provokojë rrëmujë në sallë duke konsumuar shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit, parashikuar nga neni 65, pika 2 e saj. Njëkohësisht, një tjetër masë e marrë ndaj deputetit Balla është sanksionim financiar, ndalimin e pagës për 15 ditë. Në mbledhje nuk ishin të pranishëm anëtarët e opozitës, Rajmonda Stefa, Ylli Bufi si dhe Neritan Ceka.
Leskaj: Mazhoranca po dhunon opozitën
Në emër të grupit parlamentar, kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj, reagoi ndaj incidentit të dy ditëve më parë në Kuvend. Leskaj shprehu indinjatën e saj ndaj situatës së krijuar në Kuvend, duke konsideruar se qytetarët duhet të reagojnë. “Si kryetare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duhet të them se ndihemi të gjithë të dhunuar në mandatin tonë për të përfaqësuar popullin me virtytet e cilësitë e tij më të mira, në një Parlament ku gjuha rrugaçërore e artikuluar mbrëmë nga goja e Kryeministrit të vendit kaloi çdo kufi, ku dhuna në drejtimin e Parlamentit po shndërrohet në një mënyrë pune”, - u shpreh Leskaj. Më tej, ajo kërkoi zyrtarisht nga institucionet që ngarkon ligji, për marrjen në mbrojtje të deputetit Balla. “Është e turpshme ajo që ka ndodhur dje, është dhe më e turpshme ajo që ka ndodhur dje në mbledhjen e Byrosë së Parlamentit ku nuk janë dënuar dhunuesit, por i dhunuari”, - tha ajo.
PDS-ja kundër dënimit të Ballës
Partia Demokracia Sociale reagoi dje ndaj incidentit në Parlament mes Kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist, Taulant Balla. Në një njoftim për shtyp të kreut të PSD-së, Paskal Milo, incidenti konsiderohet një sjellje e shëmtuar e primitive e Kryeministrit shqiptar në Kuvend. Sipas Milos,
qeveria e Berishës është e papërgjegjshme dhe e falimentuar.
”Kriza e marrëdhënieve qeveri-presidencë në dëm të shërbimit diplomatik shqiptar. Strukturat hije të MPJ-së dëmtojnë procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë”, - tha Milo. Dy ditë më parë në Kuvend pati një shkëmbim replikash mes Kryeministrit dhe deputetit socialist, Taulant Balla, çka detyroi Kryetaren e Kuvendit që të mbyllë seancën.