Bumçi: Kuvendi të mos tolerojë asnjë shfaqje që cenon seancën plenare
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dënoi dje veprimet e deputetit socialist, Taulant Balla, i cili një ditë më parë, duke shkelur dy nene të Rregullores së Kuvendit, shkaktoi një incident në Kuvend deri në mbylljen e seancës plenare. Gjatë një konference për shtyp, deputeti demokrat Aldo Bumçi e cilësoi këtë veprim të kolegut të tij Balla, si një akt të paprecedent. “Deputeti Balla, në mënyrë të përsëritur ka tentuar të dhunojë Rregulloren e Kuvendit, duke u përpjekur që të bllokojë seanca të rëndësishme gjatë këtyre 3 viteve”, - tha deputeti Bumçi. Sipas tij, grupi parlamentar i PD-së i kërkon Kryetares së Parlamentit, Konferencës së Kryetarëve dhe Byrosë së Kuvendit që të mos tolerojnë për asnjë arsye dhe rrethanë shfaqje të tilla që cenojnë rëndë vijimin normal të seancave plenare. PD-ja ftoi grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kryetarin e saj, që të mos mbrojnë asnjë provokator dhe dhunues të Rregullores dhe të etikës së Kuvendit, por të distancohen qartë prej tyre, pasi në të kundërt, do të provonin se të tilla ngjarje janë të inskenuara paraprakisht për qëllime të mbrapshta politike. “Grupi parlamentar i PD-së shpreh bindjen se një apo më shumë deputetë të keqpërdorur nuk mund të mbajnë kurrsesi peng Parlamentin dhe nuk mund të pengojnë vijimin dhe përfundimin me sukses të kësaj legjislature”, - përfundoi Bumçi.