Meta, gati për takim me Ramën
Reforma zgjedhore pritet të pajtojë dy rivalët
Sipas tij, LSI-ja ka vullnet për zgjedhje të lira
Aurora Thomollari
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është i gatshëm të ketë një takim me kreun e PS-së, Edi Rama. Lideri i LSI-së pranoi dje se është i gatshëm që të takohet me çdo aktor politik, duke lënë të nënkuptuar se është gati për një takim edhe me kreun socialist. Në këtë mënyrë LSI-ja i përgjigjet pozitivisht kushtit të PS-së që më parë takimi mes dy partive të kryhet në nivel kryetarësh dhe më pas në nivel ekspertësh për reformën zgjedhore. “Si një forcë politike serioze, Lëvizja Socialiste për Integrim është për dialog me të gjitha partitë, në radhë të parë parlamentare, por edhe ato jashtë Parlamentit, për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit. Njëkohësisht, sikurse e dini, kërkesa që ka bërë kryetari i grupit tonë parlamentar për takim kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, zonjës Leskaj, është shprehje e vullnetit shumë të mirë dhe konstruktiv që ka pasur dhe ka gjithmonë Lëvizja Socialiste për Integrim, në radhë të parë për të kontribuar që vendi ynë të ketë zgjedhje të ndershme, të lira dhe me integritet në vitin 2009”, - tha Meta. Nga ana tjetër, lideri i LSI-së sqaroi se pavarësisht kësaj kërkese për dialog, nuk ndryshojnë qëndrimet e LSI-së kundrejt PS-së lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe të tjera procese që e kanë fuqizuar më shumë Berishën. Nisur nga kjo, Meta ka gjetur rastin t’i kujtojë PS-së se nëse do të kishte një qëndrim në bllok me pjesën tjetër të opozitës, nuk do të kishte ndodhur incidenti i dy ditëve më parë në Kuvend. “Në rast se e gjithë opozita do të kishte qenë e qartë, në bllok dhe në një linjë me qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot do të ishte përpara drejtësisë dhe jo të qesëndiste deputetët e opozitës dje në Parlament dhe të tallej me tre milionë shqiptarë”, - tha Meta.