E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Grupit të PS-së i ka humbur autoriteti



Ish-kryetari i grupit parlamentar të PS-së Ben Blushi ka shprehur pakënaqësi dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist i mbledhur enkas për incidentin në Kuvend të dy ditëve më parë. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se Ben Blushi është shprehur se ngjarje të tilla i ndodhin grupit parlamentar socialist pikërisht sepse këtij të fundit nuk i ka mbetur më autoritet. “Është hera e parë që dhunohemi kështu në Parlament sepse grupit i ka humbur autoriteti”, - mësohet të jetë shprehur Blushi në mbledhje, kritikë që nuk ka tingëlluar mirë për drejtuesen e këtij grupit parlamentar Valentina Leskaj. Blushi ka drejtuar grupin parlamentar socialist për pak muaj gjatë vitit 2007 dhe dha dorëheqjen në momentin kur gjashtë deputet socialistë nuk iu bindën urdhrit të partisë dhe morën pjesë në seancën ku votohej për Presidentin e ri të vendit, duke dhënë votën pro kandidatit të mazhorancës. Që atëherë ai është shprehur mjaft rrallë për mënyrën se si bën opozitë Partia Socialiste, por në ato herë që ai është shprehur nuk janë kursyer kritikat ndaj lidershipit socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›