Berisha: Saranda do të vazhdojë të jetë prioritet i qeverisë sonë
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka zbritur dje në Sarandë, ku ka zhvilluar takimin elektoral të radhës. Miting të fitores e ka cilësuar atë të djeshmin kreu i selisë blu. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka bërë një bilanc të investimeve të kryera në jugun shqiptar dhe sidomos në Sarandë. "Në këto 4 vite, Saranda ka qenë prioritare për qeverinë time dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe gjatë mandatit tjetër qeverisës", ka premtuar Berisha. Më tej, ai ka renditur si suksese të qeverisjes demokrate hapjen e Universitetit në Sarandë, zhvillimet në infrastrukturë dhe nxitjen e turizmit. Berisha ka deklaruar se tashmë ka përfunduar projekti për aeroportin e Sarandës, që, sipas tij, do të jetë një aeroport ndërkombëtar sipas parametrave më bashkëkohore. Ndërsa paraditen e së shtunës, Kryeministri Sali Berisha ka qenë mes banorëve të Ksamilit, ku ka përuruar shëtitoren me gjatësi 1.6 km që shtrihet buzë detit të qytezës. "Ky është një investim madhor i qeverisë, përballë investimeve në kuotën zero nga socialistët për Ksamilin", ka thënë Berisha. Pas prerjes së shiritit, i shoqëruar nga kryekomunari Koçia e kryebashkiaku Gjoka, Berisha ka shëtitur në segmentin e parë të shëtitores së re. Ai ka premtuar se Ksamili do të bëhet bashki dhe se problemet e tij janë shumë të rëndësishme për të gjithë vendin. Berisha ka premtuar mes të tjerash subvencionim të bujqësisë. "Qeveria do të subvencionojë absolutisht çdo rrënjë ulliri që do të mbillet në Ksamil", ka thënë mes të tjerave kreu i selisë blu. Më tej, Berisha dhe autoritetet që e shoqëronin kanë shkuar në Qafëbotë, duke përshkuar segmentin e parë prej 8 km, të rrugës Qafëbotë-Sarandë, e cila ka përfunduar së shtruari deri në hyrje të fshatit Shkallë. Një hapësirë të veçantë në turin e vet në Sarandë, Berisha ua ka kushtuar studentëve të filialit universitar të Sarandës. Një takim elektrizues e ka quajtur Berisha atë që kanë dhuruar studentët sarandjotë, i zhvilluar i tëri në sfondin e kolonës zanore "Shqipëria po ndryshon". Kësaj atmosfere të ndezur ai u ka bashkuar edhe përshëndetjet e të rinjve të Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë. "Ju jeni ata që keni elektrizuar fushatën, e cila do të përfundojë me fitore", u tha atyre Berisha, ku më tej e ka cilësuar fushatën e zgjedhjeve 2009 më të bukurën në historinë e fushatave zgjedhore të zhvilluara në Shqipëri.