SHBA, rezolutë për zgjedhjet në Shqipëri: Të jenë të lira
Anëtarësimi në NATO nuk do të thotë se SHBA-ja po mbyll sytë rreth zhvillimeve politike në Shqipëri. Përkundrazi, Shqipëria merr vëmendjen maksimale dhe si për ta dëshmuar këtë, një javë para zgjedhjeve Senati amerikan miraton një rezolutë të posaçme për vendin tonë, ku kërkon që më 28 qershor të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta. Rezoluta është miratuar në mbledhjen e ditës së premte dhe Senati amerikan i bën thirrje Shqipërisë për një proces legjitim e të besueshëm. Në rezolutë thuhet se "Senati amerikan njeh arritjet demokratike të popullit të Shqipërisë dhe shpreson se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 jo vetëm do të ruajnë, por edhe do të përmirësojnë transparencën dhe paanshmërinë e demokracisë në Shqipëri". Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, Xhon Kerri, nënkryetari i komisionit, Riçard Lugar, si edhe senatorët Benxhamin Kardin, Xhin Shahin, Ted Kaufman dhe Xho Liberman, gjatë prezantimit të rezolutës kanë deklaruar se "interesi i natyrshëm që ka Amerika në Shqipëri nuk ka marrë fund me pranimin e vendit në NATO". Sipas senatorëve amerikanë, rëndësi ka që zgjedhjet në Shqipëri të besohen si të lira e të ndershme, si nga populli shqiptar ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë. "Tani, më shumë se kurrë, ne duhet të jemi të angazhuar për të parë në Shqipëri zgjedhje të cilat të jenë të besueshme në sytë e popullit të saj dhe të partnerëve të saj europianë. Si aleatë, ne jemi të interesuar thellësisht në sukseset e Shqipërisë. Në ditët e fundit para se shqiptarët të shkojnë drejt kutive të votimit, ne shpresojmë se të gjitha palët do të punojnë së bashku për të pasur një proces zgjedhor të drejtë dhe legjitim", thuhet në deklaratën e 6 senatorëve amerikanë. Rezoluta e Senatit amerikan vjen në një kohë kur incidentet elektorale janë shtuar dhe fushata elektorale është në kulmin e saj. Mesazhet për zgjedhje të lira e të ndershme, të qeta dhe pa konfliktualitet ditët e fundit janë shpeshtuar edhe nga zyrtarët e lartë të Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë, si nga ambasadori Uidhers edhe nga vartësit e tij, që pothuajse çdo ditë në takime të ndryshme i bëjnë thirrje shtetit shqiptar dhe politikës për realizimin e zgjedhjeve të lira. Zgjedhjet e lira dhe të qeta janë ndër kushtet kryesore që faktori ndërkombëtar i ka bërë qeverisë shqiptare dhe partive politike, duke i kujtuar se tashmë vendi ynë është anëtare e NATO-s dhe nuk pranohet që të mos jetë në gjendje të realizojë një palë zgjedhje të pakontestueshme. Vlen për t‘u kujtuar se në 18 vjet pluralizëm vendi ynë ende nuk ka shënuar në historinë e saj zgjedhje të lira, të ndershme dhe pa vërejtje nga faktori ndërkombëtar.
SHBA: Bëni zgjedhje të qeta
Departamenti amerikan i Shtetit nxit politikën shqiptare të zhvillojë zgjedhje në përputhje me standardet e kërkuara. Zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Biks Aliu, dha dy ditë më parë një mesazh të posaçëm për median. "Nxisim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor", deklaroi Aliu. Edhe një herë, nënvizoi ai, shprehim shpresën dhe pritshmërinë tonë që zgjedhjet që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Pak ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, deklaroi se "sondazhi i 28 qershorit është i vetmi sondazh i qeverisë amerikane dhe atë do ta bëjnë vetë shqiptarët. Legjitimiteti i çdo rezultati të zgjedhjeve varet nga transparenca me të cilën kryhet".