E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Shteti do të jetë garanci për jetën e qytetarëve

Kandidati i Partisë Socialiste, Ylli Manjani për Qarkun e Dibrës, i renditur i treti në listë, vëren problematikat dhe zgjidhjet për këtë zonë

Z. Manjani, cilat janë avantazhet e Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës?

Qarku i Dibrës është sot më i varfri ndër qarqet e Republikës. Në 18 vitet që lamë pas, 10 prej të cilave të qeverisë Sali Berisha, nuk u bë asgjë për të nxjerrë dibranët e matjanët nga varfëria. Përkundrazi, u thellua varfëria me hapa galopantë. Ne nuk kemi shkuar në Qarkun e Dibrës për të treguar avantazhet e disavantazhet, por për të ndërtuar një politikë të re me dibranët e matjanët, për të nxjerrë familjet e këtyre zonave nga varfëria e thellë ku e ka pllakosur politika e derisotme.

PSSH-ja sot është përfaqësuese origjinale e kësaj filozofie të re politike, me të cilët deri tani është pajtuar shumica e popullit të Dibrës.

Me çfarë problematikash haset kjo zonë, si mendoni t‘i zgjidhni ato?

Zoti i dha kësaj zone pasuri minerale, burime natyrore të papërsëritshme në llojin e vet. Zoti i dha këtij qarku njerëzit më punëtorë që kam njohur ndonjëherë. Mirëpo politika e derisotme nuk i lidhi këto dy dhunti me njëra-tjetrën, që njerëzit të jetojnë më mirë. Megjithëse ky qark ka një minierë dhe minatorë shumë të zotë, varfëria është shtuar. Kjo është e papranueshme. Kam takuar mjaft njerëz të varfër e zemërbardhë, që nuk arrijnë të sigurojnë as bukën thatë. Kam takuar minatorë që megjithëse punojnë nën rrezikun e vdekjes, janë të varfër aq sa nuk sigurojnë bukën dhe ushqimet e muajit, lëre pastaj librat e ilaçet, apo energjinë elektrike. Një pjesë e këtyre minatorëve jetojnë vetëm 10 hapa larg zyrës së partisë së Sali Berishës në Bulqizë. Kam takuar fshatarë që punojnë gjithë ditën e ditës në arat e tyre e që vazhdojnë të thahen për një pikë ujë. Në fshat dhe në qytet mungon sot e gjithë ditën uji i pijshëm. Rrugët e këqija vazhdojnë t‘i ndajnë njerëzit me njëri-tjetrin dhe me qarqet e tjera. Pra, varfëri e papunësi gjithandej. Burime të tëra uji nuk shfrytëzohen, po derdhen në lumin Drin, ndërkohë që njerëzit thahen për një pikë ujë. Mbi të gjitha në këtë qark ka ikur shteti. Shteti i ka braktisur këta njerëz me gjithçka. Nuk ka as shkolla, as spitale, e as ilaçe, shërbime elementare këto për çdo njeri. Kam parë njerëz që vdesin në moshë të re, sepse nuk kanë kujt t‘i ankohen kur sëmuren. Ju më pyesni se si do t‘i zgjidhim? Por ne do t‘i zgjidhim të gjitha këto probleme një e nga një. Ne do t‘i zgjidhim në radhë të parë duke u kthyer shtetin njerëzve. Shteti është i vetmi garant që jeta në këtë zonë do të ndryshojë. Politika jonë e re synon pikërisht të kthejë shtetin, d.m.th. garancinë që jeta do të ndryshojë në të gjitha ato aspekte që thashë më lart.

Çfarë ju lidh me këtë qark, pse kandidoni në Dibër?

Unë jam dibran me origjinë, formim e mendësi. Jam nga një fshat që quhet Homesh, pjesë e Komunës së Shupenzës. As unë e as prindërit e mi nuk i kemi shkëputur lidhjet me origjinën tonë për asnjë çast. Në Dibër kam varret e të parëve, kam ende një gjyshe gjallë, kam kushërinj, daja, nipër e mbesa pa fund. Kam shumë miq e dashamirës. Pranova të kandidoj në Dibër, sepse u ndjeva më mirë në vendin tim.

Si e parashikoni rezultatin e kësaj zone më 28 qershor?

Kam shkuar në Dibër që të bisedoj me njerëzit e mi. Ne nuk hedhim fall e as nxjerrim rezultate paraprake. Duam të lidhin një besë me Dibrën për të filluar një punë të madhe për transformimin e saj. Në këtë aleancë që kemi lidhur me Dibrën na janë bashkuar shumica dërrmuese e njerëzve, që sot më shumë se asnjëherë tjetër ndiejnë peshën e presionit kriminal që administrata politike e Sali Berishës u bën çdo ditë. I kërcënon Saliu me ndihmë ekonomike, me heqje nga puna, deri edhe me vdekje nëse nuk votojnë për të. Madje për këtë, Saliu kërkon edhe fotografinë e fletës së votimit të tyre si garanci për t‘i "shpëtuar" asaj që do ju ndodhë. Sinqerisht ky njeri ia ka kaluar Enver Hoxhës.

Me këtë dhunë dibranët janë distancuar me burrëri e guxim. Më 28 qershor do të distancohen edhe me votë. Për këtë jam i bindur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›