E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: Politikanët të nxisin liberalizimin e vizave

Europarlamentarja Doris Pack ka deklaruar nga qyteti i Pogradecit se politikanët shqiptarë duhet ta nxisin më tej procesin e përshpejtimit të liberalizimit të vizave. Sipas Doris Pack, ky është hapi i parë i domosdoshëm drejt Bashkimit Europian. Si për të thënë se Shqipëria është në mes të rrugës dhe se duhet të ecë me hapa më të shpejtë, Pack e ka krahasuar ecurinë e vendit tonë me bulevardin e ri të Pogradecit, që mban emrin "100 hapa drejt Europës", duke përmendur se Shqipëria ka bërë tashmë 50 të tilla dhe nuk është shumë larg realizimit të idesë së saj për t‘u bërë pjesë e Europës. "Duhet që politikanët shqiptarë dhe ata që janë pjesë e Parlamentit ta nxisin më tej procesin e përshpejtimit të liberalizimit të vizave dhe të tjerat vijnë hap pas hapi. Unë jam pjesë e Parlamentit Europian dhe më vjen keq që dëshira për t‘ju pranuar është e ulët. Megjithatë duhen pohuar se janë bërë tashmë disa hapa, por nevojiten edhe të tjera për të qenë pjesë e këtij komuniteti të madh. Ky bulevard, që është pagëzuar me emrin ‘100 hapa drejt Evropës‘ ka edhe një tjetër kuptim. Deri tani janë bërë 50 të tillë, por Shqipëria nuk është larg përmbushjes së idesë së saj për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane", është shprehur Pack nga qyteti i Pogradecit. Kjo ka qenë vizita e parë zyrtare e europarlamentares në qytetin e Pogradecit. Gjatë fjalës së saj, diplomatja evropiane ka vlerësuar investimet që janë bërë deri tani në zhvillimin e turizmit, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, gjelbërim dhe zonave pedonale. Me rastin e çeljes së sezonit turistik, Doris Pack është vlerësuar me një medalje mirënjohjeje nga kryetari i bashkisë së qytetit, Artan Shkëmbi, mes katër personaliteteve të tjera të huaja. Më tej Pack ka përuruar shëtitoren e re dhe rrugën që simbolizon hyrjen në një qytet evropian, ku janë të shënuar emrat e 100 personaliteteve vendase dhe të huaja. Pjesë e axhendës së Pack ka qenë vizita në panairin e çelur për nisjen e sezonit turistik, ku diplomatja evropiane ka mundur të njohë nga afër traditat pogradecare, si dhe ka ngritur një dolli sipas zakonit me një gotë raki për të uruar një sezon të mbarë veror.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›