E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Padi në prokurori për Jozefina Topallin

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka ripërsëritur akuzat se ekzekutimi i Aleksandër Kekës është bërë me urdhër të politikës. Sipas Ndokës, kjo është e vetmja pistë hetimi, ku duhet të përqendrohen organet e drejtësisë, pasi të ndjerit prej kohësh po i bëheshin presione dhe joshje nga rivalët politikë. Në një konferencë për shtyp nga qyteti i Shkodrës, Ndoka ka deklaruar se partia që ai drejton do të padisë në prokurori kryeparlamentaren Jozefina Topallin për shpifje, pas akuzave që ajo ka lëshuar disa ditë më parë në një takim elektoral në fshatin Postribë, ku i ka akuzuar demokristianët si mafiozë dhe spiunë. Ndoka ka deklaruar se do të paditet edhe Policia e Shtetit për shpifjet që janë bërë ndaj figurës së Aleksandër Kekës, duke e klasifikuar atë si trafikant dhe person me precedentë penalë. "Ne jemi duke nxjerrë dëshminë e penalitetit të të ndjerit, ku del qartë se ai nuk ka qenë i dënuar asnjëherë. Deklaratat ishin të pamoralshme dhe një vrasje e dytë që i bëri policia Aleksandër Kekës. Kryetari i PDK-së në Malësi të Madhe është vrarë dy herë: një herë nga politika që e ekzekutoi me shpërthim eksplozivi dhe një herë tjetër nga policia që njollosi pa të drejtë figurën e tij", ka deklaruar Ndoka. Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe sekretari i UDC-së, Lombardi Luigji Buffaro, i pranishëm në konferencën për shtyp, i cili është shprehur se ngjarja duhet zbardhur sa më shpejt dhe se veprime e akte të tilla e largojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›