Rama: Dhe tetë ditë na ndajnë nga e shkuara
Në mbyllje të fushatës në Rrethin e Beratit, dje në mesditë kryetari i PS-së, Edi Rama, bëri thirrje për bashkim dhe jo për përçarje. "Vota për Partinë Socialiste do të sjellë ndryshimin e politikanëve të vjetër. Pas fitores së qeverisë socialiste, investimet në Skrapar, brenda katër viteve, do të jenë sa ç‘kanë qenë gjatë 18 vjetëve të qeverisjeve të vjetra të marra së bashku", është shprehur Rama. Ai kërkoi që vota të mos ndahet, pasi vota e ndarë sjell Berishën në pushtet. Kreu socialist kërkoi votat për tetë deputetët e majtë të këtij qarku. Rama bëri thirrje për të votuar kandidatët e majtë, me qëllimin e vetëm për t‘i dhënë fund politikës së vjetër. Rama kërkoi që Berati të votojë kandidatët e majtë në zgjedhjet e 28 qershorit, duke i konsideruar ata si të zgjedhurit e duhur që i duhen këtij qarku. "Takimi i sotëm me ju është fytyra e ndryshimit, e fitores që po vjen, fytyra e qytetarisë beratase që po i vë vulën ndryshimit pas Vlorës, Gjirokastrës e mbarë vendit", u shpreh Rama. Më tej ai theksoi se beteja e 28 qershorit nuk është beteja e radhës mes një partie e një tjetre, nuk është beteja për largimin e një Kryeministri, por është beteja për të hapur një epokë tjetër, është beteja për t‘i dhënë fund një qeverisjeje që nuk meriton të ketë vendi, është beteja e fëmijëve që nuk kanë libra, është beteja e mësuesve që nuk kanë pagat e duhura, është beteja e fshatarëve që nuk kanë ujë, është beteja e grave dhe vajzave pa të drejta. "Në 18 vjet, ne vazhdojmë të jemi në Shqipërinë e izoluar dhe pa viza. Berisha premton se do të na heqë vizat, ndërkohë që Shqipëria ngeli jashtë programit të liberalizimit të vizave dhe kjo jo për faktin se Europa nuk e mirëpret Shqipërinë dhe shqiptarët që u mohohet liria, por për faj të kryeministrit tonë që punon për veten dhe familjen e tij". "Sot, tha Rama, unë nga ky shesh nuk ju premtoj, por angazhohem solemnisht se vitin e ardhshëm për familjet e emigrantëve dhe për çdo qytetar të këtij vendi do të ketë liberalizim të vizave". "Dhe tetë ditë na ndajnë nga ndarja me të shkuarën për t‘i dhënë Beratit e gjithë vendit zhvillimin që i duhet për t‘u zhvilluar me fuqinë e ëndrrës. Dhe tetë ditë mbetet që të nisim të ndërtojmë një shtet që i jep drita, ujë qytetarëve të tij, që mbron dinjitetin dhe pronën", u shpreh Rama.