E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Selmani: Marrëveshja e Ohrit, drejt zbatimit të plotë

Marrëveshja e Ohrit konsiderohet nga faktorët politikë shqiptarë dhe maqedonas, si një dokument i shkëlqyer që po shkon drejt implementimit të plotë. Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, z. Imer Selmani, vlerësoi dje zhvillimet pozitive në rrugën e reformave në Shqipëri, si dhe vlerësimet e bëra në raportin e Bashkimit Evropian për këto reforma. Kryeministri Berisha takoi dje një delegacion të Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, të kryesuar nga kryetari i saj, z. Imer Selmani. Kryeministri Berisha u shpreh se ndjek me vëmendje dhe interes zhvillimet në Maqedoni dhe theksoi se është shumë i nevojshëm bashkëpunimi mes forcave politike shqiptare për çështje të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë. Kryeministri vlerësoi marrëveshjen e Ohrit, si një dokument të shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka njohur zhvillime pozitive, duke shprehur besimin se në të ardhmen do të bëhen hapa përpara në implementimin e plotë të saj. Z. Imer Selmani e njohu Kryeministrin Berisha me zhvillimet në Maqedoni, veçanërisht me historinë e Partisë Demokracia e Re, duke e konsideruar atë një moment historik dhe ofertë të re politike për shqiptarët dhe minoritetet e tjera në frymën e bashkëpunimit politik, si një parti moderne, qytetare të qendrës së djathtë. Kryetari i Partisë maqedonase Demokracia e Re tha se në radhët e kësaj partie janë tërhequr njerëz të rinj, të paangazhuar më parë në politikë, nga shoqëria civile etj., si një nevojë për sjelljen e ideve të reja dhe një fryme bashkëkohore në politikë.

Berluskoni, më 2 dhjetor, vizitë disaorëshe në Tiranë

Në datën 2 dhjetor, Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, do të jetë për një vizitë disaorëshe në Tiranë. Ardhja e Kryeministrit italian, Berluskoni, bëhet me ftesën e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Kreu i qeverisë së vendit fqinj do të qëndrojë vetëm disa orë në kryeqytetin shqiptar dhe do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Berisha, Topi dhe Topalli. Gjatë takimeve pritet të diskutohen forcimi i marrëdhënieve dhe rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Mes krerëve të dy qeverisë, do të nënshkruhen dhe disa marrëveshje, kryesisht në fushën ekonomike. Gjithashtu mes Berishës dhe Berluskonit do të diskutohet dhe tema e ndërtimit të një termocentrali bërthamor. Kjo është vizita e parë zyrtare e Kryeministrit italian, Berluskoni, që pas marrjes së detyrës në fillim të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›