E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët: Tani, shpresë tek Presidenti

9 deputetë të Kuvendit i dhanë fund në ditën e tetë grevës së urisë, pak orë para së Parlamenti të miratonte Kodin Zgjedhor. Ora 18:45 e ditës së djeshme i dha fund grevës së urisë e cila është shpallur nga 11 deputetë në seancën e datës 10 nëntor. Ilir Meta, i shoqëruar nga Nard Ndoka, Petro Koçi, Spartak Braho e të gjithë deputetët e tjerë lanë sallën e Kuvendit për të deklaruar mbarimin e grevës dhe nisjen e një tjetër faze të kontestimit të tyre, atë të protestave qytetare deri edhe jashtë vendit, pa lënë jashtë këtu edhe negociatat politike. Presidenti i Republikës mbetet shpresa e fundit dhe e vetme, i cili nëse e rikthen ligjin në Kuvend, kjo jep një tjetër mundësi për dialog mes palëve. Greva mori fund me deklaratat e forta të Ilir Metës kundër PS-së së Edi Ramës dhe ato të Nard Ndokës kundër Berishës. Vendosmëria e dy partive të mëdha për të miratuar një kod që realisht ka marrë vlerësime dhe nga ndërkombëtarët, i bindi grevistët se forma më ekstreme e reagimit të tyre duhej të merrte fund për të tentuar të tjera mënyra reagimi dhe kontestimi ndaj Kodit të ri Zgjedhor.

Fundi i grevës

Pakkush e mendoi se grevistët do t’i jepnin fund nismës së tyre. Madje shumë prej mbështetësve të partive pjesëmarrëse në grevë deklarimin e Ilir Metës nga foltorja e Parlamentit se do të dilte për të takuar mbështetësit, u interpretua si një takim simbolik mes tyre dhe pastaj rikthim në grevë. Ora 18:45, deputetët iu afruan turmës. Natyrisht, nuk munguan përshëndetjet dhe brohoritjet për 9 protagonistët, por pak çaste më vonë, Ilir Meta deklaroi fundin e fazës së parë të përpjekjeve dhe fillimin e një tjetër faze, atë të rrugëve diplomatike, brenda vendit dhe jashtë tij. “Ne sot përfundojmë etapën e parë të përpjekjeve tona konstruktive dhe paqësore të sakrificave tona, dhe sidomos të sakrificave tuaja këtu jashtë për 8 ditë e 8 net me radhë. Nesër fillon një etapë tjetër, një etapë tjetër e cila do t’i bëjë të gjithë botës së ditur se dy bosat e kastës Rama dhe Berisha, do të marrin fund”, - tha Meta. Ai e cilësoi si kriminal momentin e miratimit të kodit që legjitimon një kastë kriminale. “Nesër në mëngjes do ta kemi zemrën 10 herë më të fortë sesa ditën që hymë në grevën e urisë. Dua së pari t’ju falënderoj nga zemra për 8 ditë që i dhatë Shqipërisë me këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme qytetare për dhjetëra orë këtu pa pushim”, - vazhdoi Meta para protestuesve. “Ju jeni këtu sepse jeni të ndërgjegjshëm se pa mbrojtur lirinë tuaj sot, fëmijët tuaj nuk mund të jetojnë më mirë nesër. Ju jeni këtu sepse ndieni një rrezik që vjen nga kasa konsensuale Rama-Berisha dhe të monopoleve pa fund që ata duan të krijojnë në këtë vend”. Ata erdhën deri te ky moment kriminal për të legjitimuar kasën e tyre, - vazhdoi Meta, - ashtu sikurse dhunuan Kushtetutën tuaj në 21 prill me kartonët e tyre vetëm për tri orë, duke hedhur poshtë vullnetin e 1 milion shqiptarëve në vitin 2008. Ata kujtojnë se ky popull është kope”. Meta u shpreh mjaft kritik edhe ndaj ndërkombëtarëve e dy qëndrimeve të ndryshme brenda një dite të OSBE-së. “Nuk do ketë diplomat që ka sytë nga xhepi i Kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nuk mund t’i trajtojë shqiptarët si persona të botës së tretë, që nuk miratojnë të kenë votën e lirë. Ne u referohemi atyre idealeve të shenjta që iu referuam në dhjetor të ‘90-ës. Po fillojmë dhjetorin e dytë që do mbyllë tranzicionin në Shqipëri dhe do nisë rrugën drejt Evropës”.

Ndoka: Fituam një betejë, tani nisim luftën

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në fjalën e tij përshëndetëse për mbështetësit e tri partive që hynë në grevë urie ia dedikoi thuajse gjithë fjalimin e tij liderit të mazhorancës, Kryeministrit Sali Berisha. Ai tha se Kryeministri ka pritur që deputetët që u futën në grevë të ushtrojnë dhunë, madhe ata janë bërë pre e provokimeve gjatë ditës që ishin në sallë. “Berisha ka pritur që ne të përdorim dhunë në sallën e parlamentit. Janë përpjekur të provokojnë e të fusin njerëz edhe nëpër mitingjet, por ata kanë kuptuar që misioni jonë është i qartë dhe do ti mposhtim ata vetëm me protesta qytetare”, - tha Ndoka. Grevën e urisë për tetë ditë rresht kreu demokristian e konsideroi fitoren e një beteje, ndërsa dita e djeshme shënoi fillimin e një lufte që për të është edhe më e madhe, kundër dyshes Rama-Berisha. “Ne sonte fituam një betejë, betejën më të madhe për votën e lirë. Sonte fillojmë një luftë akoma më të madhe ndaj dy sulltanëve të politikës shqiptare, pasi jemi të motivuar nga mbështetja që patëm nga mijëra e mijëra qytetarë”, - tha në fjalën e tij kreu i PDK-së, Nard Ndoka.

Ai bëri të ditur se të gjithë kundërshtarët e kodit janë të vendosur që të gjithë së bashku t’i thonë jo votës së vjedhur. “Është një kod që do të ketë replika të mëdha nga ndërkombëtarët. Ambasadori i OSBE-së hodhi kritikat më të egra mbi të, si personi më i përzgjedhur për monitorimin e zgjedhjeve në vendin tonë”, - tha Ndoka.

Petro Koçi: Në Kuvend fitoi Gërdeci

Kreu i PS’91, Petro Koçi, deklaroi para mbështetësve që pritnin jashtë traut tek hyrja e Parlamentit se me miratimin e këtij Kodi të ri Zgjedhor, tanimë ka fituar e keqja. Ai mori për shembull disa ngjarje të përfolura si rasti i Gërdecit apo i biznesmenit Fazlliç, e sipas tij, përmes dy partive të mëdha fitoi Gërdeci e Fazlliçi, ndërsa jashtë aty ku protestohej, fitoi Shqipëria. Koçi deklaroi vendosmërinë e mëtejshme për të kontestuar me çdo formë demokratike Kodin e ri Zgjedhor i bërë nga dy bashkëpunëtorët Rama e Berisha.

Ndërsa në fjalimin e tij brenda në Kuvend, Koçi denoncoi tentativat e dy partive të mëdha të cilat në bashkëpunim me njëra-tjetrën hartuan një ligj i cili nuk bën gjë, veç shkel të drejtën themelore të njerëzve për të votuar e për numëruar votën për atë që është dhënë.

Grevistët mbanin njëri-tjetrin nga krahu

Nën tingujt e këngës “Për ty atdhe” të Mentor Xhemalit, nëntë deputetët që u futën para tetë ditësh në grevë urie, u pritën nga mbështetësit e tyre të cilët protestuan po aq ditë para hyrjes kryesore të Kuvendit. Më të lumturit për përfundimin e kësaj greve duket se janë forcat e policisë, të cilëve u është dashur të kenë një shërbim 24 orë pranë selisë së Kuvendit për shkak të protestave të vazhdueshme. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte i pari që hodhi hapin jashtë sallës së Kuvendit i ndjekur nga Koçi e Ndoka e gjithë deputetët e tjerë. Çdo hap që nga dera kryesore e sallës u ndoq nga kamerat e shumta televizive deri tek trau i hyrjes, i cili edhe këtë herë nuk i ngrit për të kaluar lirshëm. Njerëzit më të ngushtë të tij, arritën t’i rrëmbenin një përqafim, ndërsa nga trau deri të podiumi i protestës, mbështetësit hapën rrugën për nëntë protagonistët e grevës së urisë. Ndërkohë që këta të fundit mezi mbaheshin në këmbë, dëgjoheshin thirrjet “Meta, Meta”, “Nardi Nardi”, “Jo, jo diktaturës”, “Vota është e shenjtë” etj. Fjalën i pari e mori Ilir Meta për të vazhduar me Ndokën, Koçin, ndërsa në një ekran gjigand vazhdonte të shfaqej seanca e Kuvendit të cilën herë pas here protestuesit e ironizonin me thirrje dhe fishkëllima. Rrotull podiumit dalloheshin edhe familjarë të deputetëve të cilët me zor prisnin që të mbaronin fjalimet e rastit dhe të takonin nga afër grevistët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›