E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta, si ndahen 100 zonat e reja zgjedhore

Komisioni për Reformën Zgjedhore bashkë me Kodin Zgjedhor ka miratuar dhe një element të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, hartën e re elektorale. Kjo hartë shënon një risi, pasi nuk ka ngjashmëri me hartën e mëparshme që ndahej me zona zgjedhore nga ku dilnin deputetë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në qoftë se më parë merrej më shumë për bazë kriteri gjeografik për ndarjen e zonave, tanimë zonat do të jenë sipas numrit të shtetasve shqiptarë të regjistruar në gjendjen civile. Harta e re elektorale përbëhet nga 12 zona zgjedhore, ku secila i korrespondon një qarku dhe mandatet do të llogariten në bazë të votave që partia apo koalicioni ka marrë për secilin qark. Aty ku ka më shumë denduri popullsie, do të dalin dhe më shumë deputetë, duke i dhënë kështu prioritet qyteteve të mëdha, të cilat janë populluar më shumë gjatë viteve të demokracisë për shkak të migrimit të brendshëm. Kjo përllogaritje bëhet në bazë të regjistrit të zgjedhësve që është bërë nga Ministria e Brendshme. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, numri i përgjithshëm i shtetasve shqiptarë, rreth 4 milionë e 260 mijë, pjesëtohet me numrin 140 të deputetëve, prej nga del se një mandati për deputet i korrespondojnë 30 mijë shtetas. Më pas, numri i shtetasve për çdo qark pjesëtohet me 30 mijë, prej nga dalin edhe mandatet e deputetëve për çdo qark. Qarku i Tiranës me numrin më të madh të shtetasve të regjistruar do të marrë edhe numrin më të madh të mandateve për deputetë, 32 duke e bërë kryeqytetin edhe sheshin e mejdanit për luftën politike të ardhshme. Më pas vjen qarku i Fierit me 16 mandate dhe në vend të tretë vjen qarku i Elbasanit me një numër të konsiderueshëm deputetësh 14, duke u pasuar menjëherë nga Durrësi, qark i cili çon në Parlament 13 deputetë. Pas Durrësit vjen qarku i Korçës, me 12 deputetë dhe një numër po të njëjtë mandatesh, 12, do të ketë edhe qarku i Vlorës, duke zënë përkatësisht vendin e 5-të dhe të 6-të për nga renditja e numrit të mandateve. Pas tyre vjen qarku i Shkodrës, i cili përfaqësohet në Parlament me 11 deputetë dhe ky është numri më i lartë për veriun e vendit. Klasifikimi zbret në qarkun e Beratit me 8 deputetë, për t’u ngjitur serish në veriperëndim me qarkun e Lezhës, që nxjerr 7 deputetë, qarku i Dibrës zë vendin e 10-të, duke çuar në Parlament 6 deputetë. Vendin e parafundit në listën e numrit të deputetëve e merr qarku i Gjirokastrës me 5 deputetë dhe në fund renditet Kukës, që për shkak të numrit më të vogël të shtetasve të regjistruar do të çojë në Parlament 4 deputetë.

Detaj

3 milionë e 172 mijë e 757 zgjedhës janë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë sipas tabelave sqaruese të Kodit Zgjedhor

Nr. Qarku Nr. Zgjedhësve

1 Berat 175035

2 Dibër 128920

3 Durrës 292466

4 Elbasan 302757

5 Fier 360682

6 Gjirokastër 129482

7 Korçë 272317

8 Kukës 78770

9 Lezhë 152928

10 Shkodër 247074

11 Tiranë 748322

12 Vlorë 284004

PJESA V e Kodit Zgjedhor

ZONA ZGJEDHORE DHE NUMRI I MANDATEVE PËR CDO ZONË

Neni 74

Zona zgjedhore

1. Zona zgjedhore përputhet me territorin e qarkut dhe shërben si njësi zgjedhore për zgjedhjen e një numri të caktuar mandatesh sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod.

2 Kufijtë administrativ të qarqeve vendosen me ligjin për ndarjen administrative e

territoriale të Republikës.

Neni 75

Kriteret dhe procedura për caktimin e numrit të mandateve

1. Numri i mandateve për secilën zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish.

2. Numri total i shtetasve, sipas regjistrit kombëtar të gjendjes civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit.

3. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar sipas pikës 2 të këtij neni.

4. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi sipas pikës 3 të këtij neni.

5. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndare, ato mandate u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi sipas pikës 3 të këtij neni.

Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe.

6. Në rast se edhe pas zbatimit të pikës 5 të këtij neni presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është i njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që pas përllogaritjes sipas pikës 3, ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.

7. Në rast se dy apo më shumë zona zgjedhore edhe pas zbatimit të pikës 6 të këtij neni kanë numër të njëjtë shtetasish të cilët nuk kanë prodhuar mandat të plotë, mandatet ndahen me short nga KQZ. Hedhja e shortit bëhet kurdoherë publike dhe në prani të subjekteve që kanë përfaqësues të përhershëm në KQZ.

44

Neni 76

Procedura dhe periudha e përcaktimit të mandateve

1. Jo më vonë se 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Gjendjes Civile i dërgon KQZ-së numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile.

2. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi, dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi me procedurë të përshpejtuar miraton me vendim ndarjen e mandateve.

3. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Tabela bashkangjitur Kodit të ri Zgjedhor

Numri i zgjedhësve për secilin qark

p

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›