E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Sheng: Kina, kredi të buta për rrugët rurale



Qeveria kineze do të mbështesë përmes një fondi ose kredie të butë për ndërtimin e rrjetit të rrugëve rurale. Kryeministri Berisha priti dje delegacionin parlamentar të Komisionit të Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Republikës Popullore të Kinës, kryesuar nga z. Sun Uen-Sheng, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar të Popullit dhe nënkryetar i Komitetit të Çështjeve Bujqësore dhe Rurale. Kryeministri Berisha u uroi mirëseardhjen anëtarëve të delegacionit, duke e cilësuar këtë një vizitë shumë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, si dhe një shprehi e nivelit të shkëlqyer të vullnetit për forcimin dhe ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel edhe më të lartë. Kryetari i delegacionit, z. Sun Uen-Sheng falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen e tij, duke u shprehur se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm vitet e fundit; janë zhvilluar disa takime të rëndësishme të nivelit të lartë vitin e fundit, dëshmi kjo e mbështetjes dhe bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve dhe dy popujve miq. Z.Sun Uen-Sheng u shpreh se kjo vizitë është me rëndësi edhe sepse bujqësia është një nga çështjet jetike, për një popull të madh siç është populli kinez dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe ndihma reciproke në këtë drejtim është mjaft e rëndësishme. Ai theksoi se takimet e zhvilluara në Shqipëri janë përqendruar në tri fusha të rëndësishme, siç janë sistemi i tokave bujqësore; sistemi i ndërmarrjeve bujqësore dhe sigurimet shoqërore për popullsinë rurale. Z. Sun Uen-Sheng theksoi se gjatë qeverisjes së Kryeministrit Berisha, Shqipëria ka pasur një zhvillim të shpejtë dhe të jashtëzakonshëm, veçanërisht në fushën ekonomike, gjë që merr një rëndësi të veçantë për këtë kohë të krizës globale financiare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›