PS shpërndan paratë për ata që fjetën tek Kryeministria
Në dy-tre njësi bashkiake në Tiranë dje ka pasur një radhë të pazakontë. Njerëz që kërkonin, nuk shkonin për të marrë certifikatë apo pasaportë, por që prisnin të merrnin para për fjetjen në trotuar dy net rresht. Bëhet fjalë për protestuesit e famshëm të PS-së që qëndruan dy net e tri ditë në bulevardin para Kryeministrisë, të cilët me sa duket janë paguar për ta bërë këtë sakrificë njerëzore dhe nuk e kanë bërë se janë shumë socialistë apo se besojnë tek qëllimi i protestës. Burime shumë të sigurta pranë stafit organizues të protestës të PS-së bënë të ditur për “standard” se shumica e atyre që kanë pranuar të qëndrojnë në shesh për dy net kanë pranuar ta bëjnë këtë kundrejt pagesës. Sipas këtyre burimeve, pagesa ka qenë simbolike 20 mijë lekë të vjetra nata, por që nxjerr në pah mënyrën se si funksionojnë tubimet e kësaj natyre, të cilat më pas Rama i cilëson revolucione popullore. Paratë janë shpërndarë dje dhe do të vijojnë në vazhdim pranë në mënyrë private nga stafet organizuese të PS-së, por dhe në njësi bashkiake apo në bashkitë e qyteteve të tjera që drejtohen nga PS-ja. Ndërkaq të gjithë e dinë se njerëzit flasin dhe gjërat merren vesh. Në fund të fundit ata që ishin në bulevard dy net për PS-në nuk kanë nënshkruan ndonjë kontratë heshtjeje. Disa protestues nga qyteti i Cërrikut, të cilët janë farefis me njëri-tjetrin, thonë se janë të majtë në bindje, por për të ardhur në Tiranë ata kishin 20 mijë lekë të vjetra. Ka të tjerë që flasin dhe për shuma të tjera, por thelbi mbetet i njëjtë, protestim në këmbim të pagesës. Urojmë që Rama të mos jetë detyruar të paguajë dhe deputetët që i qëndruan natën në shesh, pasi për shkak të statusit ata duhet ta kenë pagesën shumë herë më të lartë sesa militantët e thjeshtë.