E Diel, 1 Nëntor 2026

Senatorët çekë: 16 nëntori, njohu rezultatin e 28 qershorit



Përfaqësuesit e Komisionit të Integrimit në Senatin e Çekisë, vendi ku Kryeministri Berisha dorëzoi kërkesën për statusin e vendit kandidat, thanë se zgjedhjet në Shqipëri u njohën nga vendet anëtare dhe pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat nga Këshilli i Ministrave të BE-së në 16 nëntor ishte tregues i vijimit të dinamikës së integrimit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke vlerësuar mbështetjen e Çekisë gjatë Presidencës së saj të BE-së, kur u dorëzua edhe aplikimi ynë për anëtarësim, shprehu kënaqësinë se projekti i Shqipërisë evropiane po vazhdon dhe data 16 nëntor është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, ashtu si data e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO dhe më pas pranimi si anëtarë. Topalli vuri në dukje se pranimi i kërkesës së Shqipërisë, vetëm gjashtë muaj pas dorëzimit të saj, ishte një hap shumë domethënës në procesin tonë të integrimit. Ajo theksoi se po ashtu edhe liberalizimi i vizave, që pritet të bëhet vitin e ardhshëm, është një arritje shumë e madhe e objektivave tona, brenda një kohe shumë të shkurtër.

Senatorët çekë vlerësuan se gjatë vizitave të tyre në Shqipëri, transformimet dhe hapat e saj drejt zhvillimit janë shumë të dukshëm. Ata shprehën gjithë mbështetjen për të qenë krah Shqipërisë deri në anëtarësimin e plotë në BE, duke besuar se ky destinacion do të jetë sa më i afërt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›