Bojkoti i vendorëve socialistë, Poni: Do të ndëshkohen
Në rast se drejtuesit e majtë të bashkive dhe komunave vendosin të ndërpresin shërbimet për qytetarët pas datës 5 dhjetor, ashtu siç kanë paralajmëruar, do të ndëshkohen. Këtë deklaroi dhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. “Unë vazhdoj t’i quaj deklarata të çmendura. Shumë larg realitetit dhe më tepër deklarative dhe politike sesa deklarata që do t’i afrohen ndonjëherë qëndrueshmërisë dhe cenimit të ligjit. Sapo ligji të cenohet, ne do ta vrojtojmë”, - deklaroi Poni. Zëvendësministri e bëri këtë deklaratë në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku ai raportoi për buxhetin e pushtetit lokal. Ai evidentoi se ka një rritje për bashkitë dhe komunat. Nga ana tjetër ai akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës. Sipas Ponit, Rama po shpërdoron fondet publike dhe ka një numër të ekzagjeruar stafi në Bashkinë e Tiranës, krejt të pajustifikuar.