E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi, rezoluta e PE-së: Shqipëria, progres i pamohueshëm



Parlamenti Evropian njeh progresin e arritur nga Shqipëria në procesin e integrimit dhe kërkon që vendi të ecë në këtë rrugë. Ky ka qenë thelbi i një rezolute të miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme në Parlamentin Evropian, e cila do t’i shkojë Parlamentit për t’u miratuar ditën e enjte. Kjo rezolutë nxjerr në pah progresin dhe problemet e vendeve kandidate për të hyrë në BE. Sipas deputetëve të Komisionit të Jashtëm, në veçanti Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet që kanë bërë progresin më të konsiderueshëm. Rezoluta ka inkurajuar këto vende të vazhdojnë në këtë rrugë në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. “PE njeh progresin e bërë nga Shqipëria dhe Mali i Zi që prej progres-raportit të fundit dhe për të inkurajuar të dy vendet, të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën e reformave. Parlamenti mirëpret vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së javën e kaluar për të ftuar Komisionin të përgatisë opinionin e vet për aplikimin e vendit”, - thuhet në rezolutën e miratuar nga Komisioni i Jashtëm.

Liberalizimi i vizave

Çështja e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor u trajtua në këtë rezolutë. Ajo i kërkon Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës që të përmbushin kriteret e fundit sa më shpejt, në mënyrë që prej korrikut të vitit 2010 qytetarët e këtyre vendeve të lëvizin lirshëm të hapësirën Shengen. “PE kërkon nga autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Shqipëri të ndërmarrin hapat për të përmbushur të gjitha kriteret e duhura në mënyrë që liberalizimi i vizave për qytetarët e tyre të mund të hyjë në fuqi prej korrikut 2010. Komisionit i është kërkuar për të filluar një dialog të vizave me autoritetet e Kosovës “sa më shpejt të jetë e mundur”. PE mbështet krijimin e një plani për lehtësimin e vizave dhe liberalizimit, të ngjashme me ato me vendet e Ballkanit Perëndimor”, - thuhet në këtë rezolutë. Kjo rezolutë, e cila do të kalojë për votim në Parlament, u miratua me 58 vota pro, 8 kundër dhe 9 abstenime. Më tej në rezolutë thuhet se çështjet kyçe, të tilla si rendi i ligjit, liria e shprehjes, trajtimi i pakicave etnike dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të trajtohen ende nga këto vende. Në përgjithësi, Parlamenti ripohon angazhimin e tij për politikën e zgjerimit, një nga më të suksesshmet të të gjitha politikave të BE-së. Një tjetër çështje e kërkuar ishte edhe liria e medias, forcimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›