E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shkurtoni administratën

Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar dje pushtetarëve vendorë që të shkurtojnë administratat e tyre.

SHPRESA DINE

Në mbyllje të vizitës dyditore në qytetin e Sarandës, ku ndër të tjera çeli edhe sezonin turistik, kreu i qeverisë pati një takim me kryetarët e bashkive dhe komunave të vendit. "Asgjë nuk e dëmton më shumë administratën sesa punonjësit që nuk kanë punë dhe luajnë me letra, sikundër nuk ka drejtues më të papërqendruar, sesa ai që nuk motivon punonjësit e tij. Administrata jonë qendrore është më e vogla në Evropë dhe kemi bërë shumë mirë. Ndaj ju ftoj që, në përputhje me të gjitha detyrat tuaja, të mos mbani gjëra të tepërta", u shpreh kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë i kërkoi të zgjedhurve vendorë që të përdorin variantin elektronik për çdo prokurim që do të bëjnë. Në të kundërt, sipas kryeministrit, çdo prokurim që nuk do të bëhet në variantin elektronik do të bllokohet. "Ju kërkoj të zbatoni prokurimin elektronik dhe kjo të jetë një përparësi absolute e juaja. Nëse nuk keni mundësi të zbatoni një tender elektronik, atëherë do të thotë se keni mbetur në epokën e gurit. Kjo është mënyra më transparente dhe moderne. Në rast se nuk do të aplikohet prokurimi elektronik, ju e detyroni qeverinë të bllokojë çdo prokurim që nuk është elektronik. Prandaj duhet të bëni të gjitha përpjekjet për ta futur këtë procedurë në praktikat tuaja", u shpreh më tej kreu i qeverisë. Duke folur në hapjen e sezonit turistik, kreu i qeverisë u shpreh se gjatë dy viteve të fundit numri i turistëve u rrit çdo vit me 34% dhe kjo është rritja më e lartë që Evropa ka njohur në të gjitha vendet e saj. Arsyet e këtij bumi të menjëhershëm të turizmit, sipas kryeministrit, ishin lufta me zero tolerancë që qeveria ndërmori ndaj krimit të organizuar, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend të sigurt për qytetarët e saj dhe turistët që e vizitojnë atë. Duke u ndalur në rritjen e përgjithshme të investimeve, Kryeministri tha se qeveria shumëfishoi të ardhurat në buxhetin e shtetit falë luftës së vendosur kundër korrupsionit, kontrabandës, evazionit fiskal dhe informalitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›