E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shoqëria civile, mision jetik për demokracinë

TIRANE - Kryeministri Berisha mori pjesë në një konferencë për mbështetjen e shoqërisë civile, të organizuar në Tiranë, ku theksoi se shoqëria civile luan një rol jetik për demokracinë.

Shefi i qeverisë shprehu mirënjohjen për shoqatat që kontribuojnë për shoqërinë civile, duke theksuar se “shoqëria shqiptare vuan për fuqizimin e vullnetarizmit, i cili është i pazëvendësueshëm".

“Vullnetarizimi është një faktor jetik për të edukuar shoqërinë shqiptare. Ne kemi nevojë për një vullnetarizëm të gjerë për mbrojtjen e mjedisit”- u shpreh Berisha.

Kryeministri theksoi domosdoshmërinë që solidarizimi familjar që karakterizon shqiptarët të projektohet edhe në shoqëri.

“Pakkush sa në Shqipëri, anëtarët e familjes i shërbejnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për të lehtësuar vështirësitë e ndryshme dhe kjo përbën një nga faktorët kryesorë të zbutjes dhe zvogëlimit të dhimbjeve të pashmangshme të reformave dhe tranzicionit në këtë vend. Është e domosdoshme që këtë traditë të shkëlqyer dhe solidaritet të madh familjar që ne kemi ta projektojmë bashkarisht në mbarë shoqërinë tonë”-u shpreh kryeministri.

Kryetari i qeverisë deklaroi se“qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të mëdha kundër korrupsionit por asgjë nuk është më e rëndësishme se zëri neutral i shoqërisë civile në luftën kundër tij, duke e bërë më të besueshme”,-vijoi më tej kryeministri Berisha.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha: Shoqëria civile, mision jetik për demokracinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›