Berisha: Shpejt do të inaugurojmë hekurudhën Tiranë Prishtinë
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar dje nga Kosova se do të nisë menjëherë ndërtimi i hekurudhës që do të lidhë kryeqytetin shqiptar, Tiranën me Prishtinën. Në fjalimin e mbajtur në tubimin me rastin e nisjes së zgjatimit të rrugës Durrës-Kukës, pikërisht nga Vërmica deri në kufirin lindor të Kosovës, Merdare, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se komunikimi mes shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë të rajonit do të jetë gjithnjë e më intensiv. Berisha, në fund të fjalës së tij deklaroi se “do ta mbyllë fjalën time, duke u zotuar para jush se inaugurimi i këtij korridori do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën dhe se Shqipëria është e vendosur të krijojë me të gjitha vendet përreth infrastrukturën më moderne, të krijojë me Kosovën infrastrukturën më intensive”. Kreu i qeverisë shqiptare, ka deklaruar më tej se ndërtimi i kësaj rruge është një favor i madh për Kosovën, por edhe për popujt e tjerë të rajonit si serbët dhe maqedonasit. “Korridori i kombit e bën Prishtinën një nga kryeqytetet më të afërta me detin, në rajon. Korridori i kombit i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Europës Qendrore. Por ky korridor është gjithashtu një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar idealin e tyre europian. Korridori, së shpejti, do të jetë korridor bashkëpunimi dhe miqësie mes vendeve të rajonit”, u shpreh Berisha. Shefi i qeverisë së Shqipërisë shprehu bindjen më të madhe se nuk do të jetë e largët dita, kur nga ky korridor do të përfitojnë Serbia, jo më pak se Shqipëria, Maqedonia, jo më pak se Kosova. “Me këtë korridor, gjithashtu, qeveria e Kosovës, autoritetet e Kosovës bëjnë një hap të madh drejt krijimit të një infrastrukture të një shteti europian. Pra, edhe në këtë sens, korridori është korridori i integrimit të Kosovës drejt rajonit dhe Europës”, deklaroi Berisha.
#