E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët Majko dhe Xhaçka protestojnë në Pogradec

Reagimi

Protesta e radhës së Partisë Socialiste është zhvendosur në qytetin e Pogradecit. Të pranishëm kanë qenë jo vetëm qytetarë, por edhe përfaqësues të sindikatave dhe shoqatave të ndryshme që veprojnë në nivel lokal. Deputetët socialistë të zonës: Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Pandeli Majko kanë akuzuar qeverisjen për futjen në krizë të vendit dhe sipas tyre e gjithë situata e ka burimin në manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetja Mimi Kodheli në fjalën e saj është përqendruar në premtimet e bëra nga Kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës për hapjen e vendeve të reja të punës, për një lëvizje të lirë e pa viza, për rritjen e mirëqenies dhe arsimimin e të rinjve. “Sot 80 mijë vende pune janë të mbyllura, të rinjtë e shkolluar po ikin nga mali, njerëzit nuk lëvizin dot lirisht, dhe biznesi e qytetarët po rrënohen çdo ditë e më shumë. Nuk do të ketë kthim mbrapa në qoftë se qeveriset me vota të vjedhura. Në datën 30 prill ju ftoj të vini në Tiranë për të demonstruar se ne jemi më shumë se ata që na qeverisin, për të treguar se rruga drejt Tiranës na çon në rrugën drejt një Shqipërie pa viza. Ju ftoj që të demonstrojmë se duhet t’i japim fund një herë e mirë vjedhjes sistematike të votës”, theksoi Kodheli. Ndërsa deputeti Pandeli Majko ka bërë thirrje për të qenë të bashkuar për t’i dhënë fund keqqeverisjes së vendit. “30 prilli nuk është thjesht një miting i masës, por një protestë masive e atyre që u vodhën ndaj atyre që kanë vjedhur. Në rast se do të jemi të bashkuar ju siguroj se kjo qeveri nuk e ka të gjatë”, deklaroi mes të tjerash Majko.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›