E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Pushteti e mbushi kupën. Tashmë protesta!

Deklarata

Më 30 prill të gjithë shqiptarët duhet të protestojnë kundër një pushteti që nuk qeveris, por sundon në interes të një kaste pushtetarësh. Kjo ishte thirrja që bëri dje sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në një deklaratë për mediat.

Sipas Klosit, shqiptarët i ndajnë sot vetëm pesë ditë nga protesta e madhe popullore ku shqiptarët do t’i tregojnë këtij pushteti se kupa është mbushur dhe se Sali Berisha e qeveria e tij nuk e gëzojnë më mbështetjen e popullit. “Prandaj në 30 prill, do të bashkohemi të gjithë së bashku në bulevardin e Tiranës në një protestë të pandërprerë deri në largimin e këtij pushteti ilegjitim”, deklaroi Klosi. Sipas tij, Berisha përveç se zotëron një pushet ilegjitim, në më pak se një vit ai ka rritur vetëm papunësinë e varfërinë e dëshpërimin. “Plot 160000 vende pune premtoi Sali Berisha në fushatë, por në më pak se një vit ai ia doli të nxjerrë në mes të katër rrugëve si të papunë më se 100000 shqiptarë”, llogariti sekretari i PS-së. Sipas Klosit, ditën e hënë kësaj proteste do t’ i bashkohen masivisht qytetarët e Durrësit, Korçës, Elbasanit, Lezhës, Gjirokastrës, Shkodrës, Kukësit e Vlorës. Po kështu, Klosi lajmëroi se në vijim Partia Socialiste dhe shqiptarët anembanë vendit, në çdo qytet e çdo fshat, në çdo shesh e në çdo rrugë, kanë për të ngritur zërin e do të protestojnë deri në largimin e kësaj qeverie që u vodhi shqiptarëve zgjedhjet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›