E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Shpërblimi nuk do të prekë rritjen e pensioneve”



Kryeministri i vendit theksoi se shpërblimi i fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë nuk do të përfshihet në rritjen e njoftuar të pensioneve më 1 maj. Sipas tij, rritja e pensioneve në datën 1 maj do të jetë 20 për qind për pensionet në fshat dhe 10 për qind për pensionet në qytet. Berisha ka siguruar 520 mijë pensionistët se lekët për rritjen e pensioneve vitin e ardhshëm ekzistojnë dhe pensionet, më 1 maj, për 170 mijë pensionistë në fshat do të kapin dyfishimin e tyre dhe për 260 mijë pensionistë në qytet pensionet rriten nga 40 deri në 70 për qind në 4 vjet. Sipas deklaratave të deritanishme, për rritjen e mëtejshme të pensioneve, pritet që përfituesit e pensionit të pleqërisë vitin e ardhshëm të marrin më shumë lekë nga shteti për punën e kryer në vite. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë bërë llogaritjet paraprake se sa do të rriten konkretisht pensionet nga shtesa e re. Sipas tyre, rritja e re e pensioneve, që do të zbatohet në muajin maj të vitit të ardhshëm, parashikohet që t’i shtojë mesatarisht 1 mijë lekë çdo përfituesi të pagesës së pleqërisë. Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, pensionet e qytetit do të rriten me 10 për qind, ndërsa pensionet e fshatit me 20 për qind. Në rritjen e re të pensioneve do të përfshihen pensionistë që marrin pension pleqërie, familjar dhe invaliditeti, si në qytet ashtu dhe në fshat. Sipas skemës së re të rritjes, për vitin e ardhshëm pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind ose në masën 951 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet kjo masë pritet të arrijë në nivelin 12226 lekë. Në të njëjtën përqindje do të rriten edhe pensionet e plota maksimale të qytetit. Por, këta pensionistë që marrin këtë lloj pensioni do të përfitojnë një rritje akoma edhe më të madhe, pavarësisht se përqindja është e njëjtë. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe si pasojë të ardhurat mujore kapin nivelin e 21433 lekësh. Ndërkohë, ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Specialistët e ISSH-së sqarojnë se të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç rritjes së re të vitit 2008, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë. Sipas kësaj skeme rritjeje, do të procedohet edhe për pensionet e fshatit. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje në masën 20 për qind. Kjo shifër e përkthyer në vlerë monetare do të thotë një rritje prej 1040 lekësh në muaj, duke filluar nga muaji maj i vitit të ardhshëm. Kështu, pas kësaj rritjeje, pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 6240 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që kanë pensione të plota, mbas kësaj rritjeje pritet të arrijnë nga 6240 lekë në 7130 lekë në muaj.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›