E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcaktohet skema e shpërndarjes së shpërblimit të pensionistëve



Jonida Tashi

Përcaktohet skema e shpërndarjes së shpërblimit të pensionistëve për festat e fundvitit. Edhe këtë vit, pensionistët do ta marrin 5 mijë lekëshin sipas grafikut të shpërndarjes që do të hartohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Në këtë grafik do të përcaktohen datat dhe oraret e marrjes së shpërblimit për të gjithë pensionistët sipas datës së tyre të pensionit. Ndërsa për pensionistët, që e kanë tërhequr pensionin në ditët e para të këtij muaji, domethënë para datës kur do të nisë marrja e 5 mijë lekëshit, do të përcaktohen data dhe orare të tjera. Shpërndarja e shpërblimit për pensionistët do të realizohet sipas listës së emrave dhe urdhër-pagesave që do të shpërndahen në zyrat e postës ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve.
Grafiku
Burime zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëjnë të ditur se grafiku i shpërndarjes së shpërblimit për moshën e tretë do të publikohet në fillim të javës që vjen. Menjëherë pas publikimit të këtij grafiku, pensionistët do të mund të tërheqin shpërblimin e akorduar nga qeveria për festat e fundvitit. Grafiku parashikon shpërndarjen e shpërblimit deri më datën 29 dhjetor, duke kombinuar për çdo ditë marrjen e këstit mujor nga ata që kanë datën e zakonshme të tërheqjes së pensionit me dy data të mëparshme që e kanë tërhequr pensionin në mënyrë që pas orës 13:30 të përfitojnë vetëm shpërblimin. Sipas këtij grafiku, pensionistët do ta marrin shpërblimin në datën e caktuar kur marrin edhe pensionin. Ndërsa pas orës 13:30 do të jepet pensioni për ata pensionistë që u ka kaluar data e pensionit. Pensionistët që nuk do të arrijnë ta marrin shpërblimin para festave të fundvitit, do ta marrin atë në janar të vitit 2009, kur të kenë datën e marrjes së pensionit. Burime nga ISSH-ja theksojnë se asnjë pensionist nuk duhet të shqetësohet nëse nuk e merr shpërblimin brenda këtij harku kohor për arsye të kalimit të datës së pensionit, pasi këtë shpërblim, si në rastin e shpërblimit të vitit të kaluar, pensionistët kanë të drejtë ta marrin edhe pas festës së vitit të ri. Këtë shpërblim do ta përfitojnë të gjithë personat që marrin pension pleqërie, invaliditeti, familjar, pensione të posaçme, shpërblim si veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kur nuk përfitojnë pension tjetër, trajtim të veçantë si punonjës të nëntokës dhe industrisë ushtarake.
Shpërndarja
Në grafikun e shpërndarjes së shpërblimit për festat që do të publikohet këto ditë nga ISSH-ja do të përcaktohen datat dhe oraret e tërheqjes së tij për të gjithë moshën e tretë.
Për të qartësuar të gjithë përfituesit e këtij shpërblimi, grafiku i shpërndarjes së tij do të afishohet në çdo qendër paguese. Me këtë grafik do të punohet për përfundimin e shpërndarjes së shpërblimit prej 5 mijë lekësh deri në fund të muajit dhjetor 2008. Vitin e kaluar, shpërndarja e shpërblimit të festave për pensionistët nisi në datën 21 dhjetor. Ky është viti i tretë radhazi që pensionistët marrin shpërblim për festat e fundvitit. Në vitin 2007, masa e shpërblimit ishte 5 mijë lekë, në 2006-n masa e shpërblimit ishte po 5 mijë. Ndërsa në vitin 2004, gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Fatos Nano, pensionistët kanë marrë 3500 lekë shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Pak ditë më parë, kryeministri i vendit, Sali Berisha, bëri publik vendimin për shpërblimin e moshës së tretë me rastin e festave të fundvitit. Qeveria vendosi që edhe këtë vit t’u japë të gjitha kategorive të pensionistëve, në qytet dhe fshat, shpërblimin e fundvitit prej 5 mijë lekësh.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›