Kola: “Do të rikthej mentalitetin fitues”
Tashmë është zyrtare. Agustin Kola është trajneri i ri i Tiranës, duke zëvendësuar boshnjako-kroatin Blaz Slishkoviç. Ky i fundit dha dorëheqjen të mërkurën pas një serie rezultatesh negative. Në intervistën e tij të parë, Agustin Kola u tregua mjaft i kursyer: “Nuk dua të flas shumë. Trajneri Slishkoviç ka bërë një punë të mirë dhe me ka lënë një ekip të fortë e të denjë për titull. Falënderoj presidentin Refik Halili dhe donatoren Shefikat Ngjela që më besuan. Dua të fus frymën e mentalitetit fitues te Tirana”. Ndeshja e parë e bardhebluve nën drejtimin e Agustin Kolës do të jetë ajo midis Tiranës e Apolonisë, takim i vlefshëm për javën e 15-të. Në fakt,
Tirana pati katër trajnerë sezonin e kaluar: Sulejman Starova, Ardian Mema, Astrit Hafizi e Sulejman Mema, dhe Augustin Kola u zgjodh nga presidenti me rrotacion Refik Halili midis pesë kandidaturave të përfolura në shtyp: Agustin Kola, Shkëlqim Muça, Mirel Josa, Sulejman Mema e Krenar Alimehmeti. Të pestë këta janë nga ajka e familjes bardheblu, ku të paktën tre prej tyre (Muça, Josa, Mema) kanë fituar titullin kampion me bardheblutë në rolin e trajnerit, ndërkohë që Kola e Alimehmeti kanë fituar trofe si lojtarë apo asistentë trajnerë. Halili, kryefinancuesi më i madh i 23-herë kampionëve për këtë edicion, ka filluar të ndiejë mall për “Bakën” e rreptë, për të cilin redaktoi një kontratë prej 100 mijë eurosh. Rezultatet aspak optimiste të regjistruara nga trajneri i katërt i huaj, që ka drejtuar klubin më të vjetër kryeqytetas (ku spikasin humbja me Teutën e barazimi me Partizanin në “Qemal Stafa”), kanë krijuar jo pak presion psikologjik para ndeshjes së radhës, teksa Vllaznia e vendit të parë ka një diferencë +4 pikë. Tirana e Agustin Kolës, trajnerit të porsaemëruar të bardhebluve do të përballet me Apoloninë në “Selman Stërmasi” (gjykon Mentor Sopjani) me të paktën gjashtë mungesa: sulmuesin kryesor Migen Memelli e mbrojtësin Tefik Osmani (që të dy të pezulluar), ndërkohë që të gatshëm nuk janë edhe shqiptaro-kroati Lekë Kcira, mbrojtësi Entonio Pashaj e kapiteni Devi Muka. Lajmi i fundit i “zi” është dëmtimi i portierit të dytë të bardhebluve, Pece Kuronovski. Maqedonasi theu dorën dhe rikuperimi i tij kërkon kohë. Tirana prej të paktën shtatë javësh ndodhet në krizë rezultatesh (vetëm 7 pikë të grumbulluara) dhe treshja drejtuese Kola-Fortuzi-Nallbani besojnë se ndaj Apolonisë, ndaj së cilës fituan në Fier fazën e parë (0-2), do të rikthehen te fitorja.
23-herë kampionët (me dy fytyra në këtë pjesë të parë të sezonit) përjetuan të mërkurën momentin më “spektakolar” të krizës, që kulmoi me dorëheqjen e trajnerit boshnjako-kroat Blaz Slishkoviç.
Presidenti Halili është para një presioni të madh nga “ultrasit bardheblu”, të cilët kërkojnë jo pak por largimin e të paktën pesë lojtarëve, që, sipas tyre, janë aktorët realë të krizës së përsëritur të klubit më të financuar në Shqipëri. Merkatos dimërore i kanë mbetur më pak se 20 ditë nga hapja zyrtare e saj (1-31 janar 2009), por ende nuk është përmendur ndonjë emër, përveç faktit se në “Skënder Halili” është duke u stërvitur ish-i Ervin Bulku (në forcë me Krivbasin në Ukrainë), ndërkohë që mbrojtësi i “hekurt” Nevil Dede (i ka përfunduar kontrata në Kinë) nuk po shihet më në ish-fushën stërvitore. Fitorja ndaj Apolonisë është një detyrim imediat për Tiranën, për të rikthyer optimizmin, kur deri në përfundim të pjesës së parë të sezonit kanë mbetur edhe 270 minuta.
Tirana me Blaz Zlishkoviç
(Java 1-java 14)
14 ndeshje, 6 fitore, 6 barazime, 2 humbje; 24 pikë
Agustin Kola, djaloshi i artë i Tiranës
Agustin Kola (sot 49 vjeç) është një ndër sulmuesit më të shquar të Tiranës së viteve 1980-1990, duke formuar edhe me Arben Mingën një nga dyshet më të frikshme dhe më prodhimtare të klubit më të vjetër kryeqytetas. Së fundi, Agustin Kola drejtoi skuadrën e futbollit në sallë të Tiranës, duke fituar me të titullin kampion të edicionit të kaluar.
Agustin Kola ka arritur të fitojë dy herë “Këpucën e artë” të kampionateve shqiptare (madje rresht) në edicionin 1987-1998 (18 gola) dhe 1988-1989 (19 gola).
Kola ka dalë shtatë herë kampion si futbollist me Tiranën: 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989, 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997.
Agustini është thirrur shumë rrallë në përfaqësuese shqiptare për shkak të martesës së tij me vajzën e një disidenti politik, por në ndeshjet ndërkombëtare ai ka lënë gjurmët e tij të golit. Kola ka zhvilluar 22 ndeshje, duke shënuar vetëm një gol në barazimin historik 2-2 të Shqipërisë me Poloninë në “Stali Mielec”, më 31 tetor 1984, (golin tjetër e shënoi Bedri Omuri, po i Tiranës), të vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian, Angli 1996.
Goli i tij më i famshëm në kompeticionet europiane në rang klubesh është ai kundër skuadrës irlandezoveriore, Linfield, kur Kola, edhe pse i rrethuar nga nëntë futbollistë kundërshtarë, shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 të Tiranës (15.09.1982), në ndeshjen e vlefshme për 1/16 të finaleve të Kupës së Kampioneve (siç quhej atëherë Kupa e Kampioneve). Në Ligën e Kampioneve, Agustin Kola ka shënuar tre gola.
Kulmi i tij “ndërkombëtar” është shënimi i tre golave në ndeshjen 17 Nëntori-Larisa 3-0 (05.05.1982), ku Kola shënoi të tre golat për bardheblutë në Kupën Ballkanike në edicionin 1981-1983.
Po në Kupën Ballkanike (1900-1991), Kola shënoi golin e vetëm të 17 Nëntorit (Tiranës së atëhershme) në humbjen 2-1 me Budoçnostin e Titogradit (Podgoricës së sotme).
Në sezonin 2005-2006 ka drejtuar Tiranën si ndihmës i trajnerit Mirel Josa, por u shkarkua më pas si pjesë e stafit të Josës më 13 nëntor 2006. Agustin Kola është nderuar me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.
Si shumë futbollistë të tjerë, edhe Agustin Kola në vitet 1990 një plejadë e tërë sportistësh të talentuar shqiptarë mbushin ekipet greke. Strakosha, Millo, Kushta, Bellaj, Xhumba, Agustin Kola, Lekbello, Josa, Bledar Kola, Barbullushi, Vasi, Pano, Ferko, Tahiri, Iliadhi, Arbëri etj, janë ata që hapin siparin e shfaqjeve në skenat greke, që do të vazhdonte më vonë me Ylli Shehun, Zhupën, Zajmin, Beqajn, Bushin, Shulkun, Fortuzin, Dalipin, Grimën, Cungun, Shkëmbin, Muratin, Salihin, Shetën, Muzakën.
Partizani, frikë nga “Bobi”: Na njeh mirë
Sulejman Starova ka në “muzeun” e tij dy tituj kampionë. Të parin e ka fituar me Partizanin (tjetrin me Tiranën), një skuadër që e ka drejtuar disa herë në periudha të ndryshme. Tekniku i “lindur e rritur” në shkollën e kuqe vlerësohet si një nga strategët më të mirë shqiptarë. Pikërisht aftësive të tij taktike për të organizuar skuadrën në tre repartet i druhen edhe të kuqtë, të cilët vazhdojnë të jenë pafundësisht në kërkim të fitores së parë shtëpiake në këtë sezon. Partizani endet në “rrjetën” e vendit të fundit, por ndaj Teutës, një prej dy formacioneve më të mira (së bashku me Vllazninë) në javët e fundit, synon në ndeshjen e javës së 15-të të marrë të paktën një pikë, ashtu siç bëri edhe kundër Tiranës së vendit te dytë një javë më parë në “Qemal Stafa”, që provokoi largimin edhe të trajnerit kroat Bllaz Slishkoviç. Barazimi i tretë në katër javë i Partizanit shërben për një sinjal se skuadra ka forca për të përballuar sezonin më të vështirë të saj që nga viti 2000. Trajneri Shpëtim Duro (vetëm 2 humbje në gjashtë takime) duhet të bëjë pa mesfushorin e talentuar Elis Bakaj dhe mbrojtësin Fatjon Tafaj (të dy të pezulluar për plotësim kartonësh të verdhë), por në vijën e parë ka një Marius Ngjela të rilindur. Partizani ka sulmin më të dobët në kampionat (9 gola), por njëherësh edhe mbrojtjen e tretë më të brishtë nga 12 skuadrat (17 gola të pësuar, këtë tregues Apolonia e ka 21, Lushnja 20), por portieri e kapiteni Orges Shehi, një ish-lojtar i Teutës (Orgesi është durrsak) beson se do të arrijë të ndalë “treshen magjistare” të durrsakëve “Vila-Mile-Hysa”. Në të njëjtën linjë optimiste është edhe mesfushori Dritan Babamusta, një tjetër prodhim i shkollës së mirënjohur durrsake. Trajneri Sulejman Starova është i bindur se po ndërton një Teutë tjetër të suksesshme, pas asaj të dy sezoneve më parë, kur arriti t’i japë “medaljet e argjendta” të nënkampionit të Shqipërisë (pas Tiranës) dhe finalistes së Kupës së Shqipërisë të sezonit 2006-2007 (fituese Besa). Teuta ka moshën mesatare më të re në kampionat dhe dora e hekurt e Starovës (jo në versionin Blaz Slishkoviç) e ka shndërruar në skuadrën më të frikshme të sezonit. Pikërisht këtij entuziazmi e pasioni djaloshar i ruhet edhe Partizani, për të mos pësuar humbjen e tetë në kampionat, ashtu si Tirana, kur humbi me Teutën në kryeqytet nga dy kryevepra të rangut europian të Emiljano Vilës, i cili shënoi edhe në ndeshjen e Kupës kundër Vllaznisë, vetëm tri ditë më parë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 15, 13.12.2008
Elbasani-Dinamo, S.Jareci
Besa-Shkumbini, K. Meta
Lushnja-Bylis, A. Janku
Tirana-Apolonia, M. Sopjani
Vllaznia-Flamurtari, R. Sadiku
Partizani-Teuta E. Hoxha
RENDITJA PAS JAVËS 14
PIKË F B H GSH GP
1 Vllaznia 28 8 4 2 22 12
2 Tirana 24 6 6 2 16 10
3 Teuta 23 6 5 3 12 8
4 Dinamo 22 5 7 2 16 9
5 Shkumbini 20 5 5 4 16 13
6 Flamurtari 20 5 5 4 11 9
7 Elbasani 19 4 7 3 11 10
8 Besa 19 5 4 5 14 15
9 Bylis 16 4 4 6 10 16
10 Apolonia 12 3 3 8 13 21
11 Lushnja 11 3 2 9 10 20
12 Partizani 9 1 6 7 9 17
KATEGORIA E PARË
JAVA 14, 13.12.2008
Ada-Bilisht Sport, M. Masha
Besëlidhja-Skrapari, A. Nase
Naftëtari-Tërbuni, S. Disha
Sopoti-Dajti, Kastrati
Turbina-Burreli, M. Metohia
Gramozi-Kastrioti, E. Peza
Luftëtari-Laçi, B. Pashaj
Pogradeci-Skënderbeu, A. Rama
* Ndeshjet fillojnë në orën 14:00
13 Dhjetor 2008