Berisha: Shqipëria do të bëhet Zonjë, sepse Shqipëria po bëhet evropiane
Qindra-mijë veta në festën e PD-së në sheshin “Nënë Tereza”.
“Nga ky shesh edhe një herë ftoj çdo shqiptar: Le të bashkojmë përpjekjen tonë dhe ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e vendimeve të mëdha për lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Evropën”
Partia Demokratike organizoi dje në sheshin “Nënë Tereza”, një koncert madhështor me pjesëmarrjen e afro 300 mijë shqiptarëve, krejt ndryshe nga ata 15 mijë të PS-së në bulevardin e ngushtë, përballë Kryeministrisë.
Shqiptarët festuan dje për arritjet e mëdha dhe progresin e shënuar nën qeverisjen e Partisë Demokratike që nga ardhja në pushtet në korrik të 2005-s.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Sali Berisha, shprehu premtimin solemn për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës. Kryeministri tha se shqiptarët, janë tashmë më të lumtur se kurrë.
“Sot ne jemi në këtë shesh për të nderuar njëri-tjetrin, për të nderuar veprën e gjithsecilit në kontributin për ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Festojmë sot si një vend që ecën i sigurt drejt idealit tonë evropian. Le të festojmë se bashku që çdo qytetar të vazhdojë udhëtimin drejt Evropës”, u shpreh kreu i ekzekutivit, Berisha. Kryeministri u ndal dhe te zgjedhjet e kaluara, ku theksoi se shqiptarët shprehën me votën e tyre perspektivën evropiane të vendit.
“Rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe heqjen e vizave u bë e mundur nga vota e lirë dhe nga fryma qytetare. Shqipëria do të bëhet një ditë zonjës siç e duam të gjithë ne. Le të vazhdojmë me mundin tonë të ndryshojmë çdo ditë e më shumë Shqipërinë. Të begatojmë çdo ditë e më shumë këtë vend me mundin dhe djersën tonë. Shqipëria këtë vit është anëtare e NATO-s, është para vendimeve historike për të çelur portat drejt anëtarësimit evropian. Të gjitha këto i bën të mundur djersa, përkushtimi dhe vota juaj e lirë”, deklaroi kryeministri Berisha.
Në koncertin e PD-së morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha në përshëndetjen e koncertit festiv:
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, Përshëndetjet më vëllazërore! Gëzuar festën! Sot ne jemi në këtë shesh për të nderuar njëri-tjetrin, për të nderuar veprën e gjithsecilit, kontributin e çdonjërit prej jush në ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Sot ne jemi këtu më të gëzuar se kurrë në historinë tonë.
Sot ne festojmë si një vend që ecën i sigurt drejt idealit tonë evropian.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës, Ju shpreh nderimin tim më të madh ju dhe mbarë qytetarëve shqiptarë. Le të ftojmë ne së bashku çdo qytetar të këtij vendi të vazhdojmë udhëtimin tonë drejt Evropës, të zëmë vendin që ne meritojmë. Le të ecim ne të sigurt në të ardhmen evropiane për veten, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, si e ardhmja më e shkëlqyer.
Nga ky shesh edhe një herë ftoj çdo shqiptar: Le të bashkojmë përpjekjen tonë dhe ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e vendimeve të mëdha për lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Evropën!
Le të vazhdojmë ne me mundin, djersën, punën, përkushtimin tonë të ndryshojmë çdo ditë e më shumë Shqipërinë!
Le të vazhdojmë ne me mundin, djersën dhe punën tonë të begatojmë çdo ditë e më shumë ketë vend!
Le të vazhdojmë ne me mundin, djersën dhe përkushtimin tonë të afrohemi gjithnjë e më shumë me vendet e zhvilluara dhe të synojmë t’i arrijmë ato!
Shqipëria këtë vit është Shqipëria anëtare e NATO-s. është Shqipëria e vendimeve historike për çdo qytetar shqiptar, vendimeve për të çelur portat për këtë vend dhe për këtë komb drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, vendimeve për të lëvizur të lirë, pa viza. Të gjitha këto i bënë të mundur djersa, mundi, përkushtimi juaj.
I bëri të mundur vota juaj e lirë. I bëri të mundur fryma juaj qytetare, besimi juaj i pathyeshëm se Shqipëria do të behët një ditë zonjë, ashtu siç e duam të gjithë ne”.
Fokus-Manifestimi i PD-së u ndoq nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh/Koncerti i organizuar dje nga Partia Demokratike në sheshin që mban emrin e Shenjtores shqiptare “Nënë Tereza”, u ndoq nga një numër jashtëzakonisht i madh qytetarësh nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria. Premtimi i shumicës parlamentare për Shqipërinë evropiane dhe shqiptarët pa viza, është një realitet gjithnjë e më i prekshëm, teksa, ekzekutivi ka përmbushur plotësisht kushtet dhe standardet e kërkuara. Pikërisht, ky ishte epilogu u organizimit të kësaj feste, për t’u treguar edhe njëherë shqiptarëve përkushtimin e palëkundur të mazhorancës, për integrimin e tyre në strukturat evropiane dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Partia Demokratike dhe mazhoranca në tërësi, festuan dje kundrejt protestës së turpshme të Edi Ramës dhe aleancës famëkeqe për destabilizimin e Shqipërisë, të cilët nuk mblodhën më shume se 15 mijë mbështetës dhe kjo nisur nga konstatimi i më optimistëve për opozitën e Edvinit. Me koncertin e djeshëm, u faktua plotësisht se shqiptarët janë besues ndaj Partisë Demokratike dhe koalicionit qeverisës, në përputhje të plotë me verdiktin e tyre të lirë më 28 qershor të 2009-ë. Kukuvajkat socialiste për manipulim të zgjedhjeve dhe dhunim të të drejtës së sovranit, tashmë kanë marrë një goditje fatale, duke e detyruar Edi Ramën të shpallë grevën e urisë, si të vetmin veprim për të mbijetuar politikisht në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve.