E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Topit, sot priten debate në seancë parlamentare



Dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë priten të nxisin debate gjatë seancës së sotme parlamentare. Megjithëse ende Kuvendi nuk ka nxjerrë një rend dite për projektet që do të diskutohen gjatë seancës së sotme, sipas rregullores së Kuvendit, edhe dekretet duhet të diskutohen gjatë kësaj seance. Në rregulloren e Kuvendit sqarohet se 48 orë pas miratimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dekretet e presidentit futen automatikisht në rendin e diskutimeve të seancës parlamentare. Dekretet e Topit parashikohet se do të nxisin debate midis maxhorancës dhe opozitës në seancë, kjo për faktin se të dyja kampet e politikës ndajnë qëndrime të kundërta për mënyrën e votimit të tyre. Kështu, maxhoranca do të kërkojë miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve, shumica e të cilit vendosi dy ditë më parë që procedura e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga presidenti Topi është antikushtetuese. Deputetët e PD-së në komision theksuan se do të votojnë kundër procedurës së ndjekur nga Topi, duke konstatuar se Presidenti i Republikës ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke mos u konsultuar më parë me grupet parlamentare për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Shumica parlamentare mendon të mos fusë për votim dekretet, por të votojë procedurën e ndjekur. Por kjo kundërshtohet nga opozita, e cila është shprehur se nuk mund të ndiqet një taktikë e tillë votimi. Opozita pretendon se nuk mund të votohet për procedurën e dekretimit, por duhet të votohen dekretet e presidentit. Qëndrime të tilla pritet të sjellin në seancën e sotme debate të ashpra midis maxhorancës dhe opozitës.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›