E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria e meritoi NATO-n

Pas kthimit nga Rumania, Kryeministri Berisha ka konfirmuar se mazhoranca është e vendosur për realizimin e të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e plotë të Shqipërisë. Duke iu referuar historisë së vështirë të shqiptarëve veçanërisht gjatë diktaturës komuniste, Kryeministri Berisha theksoi se pas shpalljes së Pavarësisë, vendi ishte i qeverisur aq keq saqë nuk arriti të marrë vendin që i takonte mes vendeve demokratike. Duke renditur disa nga përfitimet e shqiptarëve nga anëtarësimi në NATO, Kryeministri Berisha theksoi se me marrjen e kësaj ftese shqiptarët fitojnë sigurinë e të ardhmes së tyre dhe mund të ndërtojnë me gjeninë e tyre krijuese të ardhmen që meritojnë, do të fitojnë kredencialet që i meritonin, por që kanë pasur kurrë më parë. "Shqiptarët vendosen mes kombeve të lira me të gjitha vlerat, të gjitha detyrimet, të gjitha përgjegjësitë. Unë mendoj se pas pavarësisë së Shqipërisë që shënoi ditëlindjen reale të vendit, anëtarësimi në NATO është ngjarja më e rëndësishme për Shqipërinë", u shpreh Kryeministri Berisha.

Reforma të thella në institucione

Kryeministri Berisha bëri me dije dje në konferencën e tij për shtyp se do të ketë reforma të thella nëpër institucione. Berisha theksoi se këto reforma nuk do të perceptojnë vetëm prekjen e krerëve të këtyre institucioneve, por do të jenë të gjithanshme. Berisha theksoi para mediave se pas marrjes së ftesës për në NATO, institucionet shtetërore do t‘u nënshtrohen reformave të thella. Sipas tij, reformat në institucionet e sigurisë kombëtare janë më se të domosdoshme, në këtë institucion reformat kanë filluar dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Pas marrjes së ftesës për në NATO, reformat janë çështja kryesore tek e cila do të përqendrohet qeveria shqiptare. Një nga pikat për të përfituar nga anëtarësimi i plotë në NATO është edhe kryerja e këtyre reformave, sidomos në atë ushtarak.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›