E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Delijorgji", Ina Rama fillon inspektimet në Prokurorinë e Durrësit

Shpallja i pafajshëm i Mihal Delijorgjit nga Gjykata e Durrësit, duket se ka vënë në lëvizje edhe Prokurorinë e Përgjithshme për të verifikuar dosjen ndaj tij. Një grup inspektorësh nga akuza qendrore kanë marrë në dorë dosjen ndaj biznesmenit të hekurit, për të mësuar mënyrën e hetimit dhe konkluzionin e prokurorisë. Baza e "hetimit" do të jenë provat e organit të akuzës. Nëse vërehen parregullsi ndaj hetuesve të çështjes pritet të merren masa drastike, deri në pezullimin nga puna. Megjithatë, koha e largët e hetimit edhe ndryshimi i organikës në Prokurorinë e Durrësit e bën të vështirë hetimin. Burime nga akuza qendrore thanë dje paraprakisht se dosja e Delijorgjit po riverifikohet nga i njëjti grup prokurorësh që po hetojnë edhe për zbardhjen e shpërthimit të fuqishëm në Gërdec, që u mori jetën të paktën 25 personave. Biznesmeni që merrej me import-eksportin e hekurit, Mihal Delijorgji, është gjykuar në vitin 2004 në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës për "falsifikim dokumentesh" dhe "evazion fiskal". Ai është shpallur i pafajshëm nga gjyqtarët e Apelit Ushtarak, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit e kishte shpallur fajtor për kontrabandë me mallra të tjerë dhe e kishte dënuar me 10 milionë lekë gjobë dhe shlyerjen e të gjitha shpenzimeve gjyqësore. Gjyqtarët ushtarakë kanë kërkuar pushimin e çështjes, me konkluzionin se nuk provohen elementet e veprës penale. Gjithashtu, gjyqtarët e Apelit Ushtarak kërkuan dhe rrëzimin e padisë civile në këtë proces penal. Por skandali "Delijorgji" mori përmasa të tjera pas këtij vendimi që përfshin Apelin Ushtarak, i cili ka gjykuar se Delijorgji është i pafajshëm dhe akuzat ndaj tij, puna disavjeçare e autoriteteve doganore dhe atyre hetimore duheshin hedhur poshtë. Ndërkohë, çështja "Delijorgji" vazhdon të endet gjykatave shqiptare, pasi ka mbërritur në muajin dhjetor 2007 në Gjykatën e Lartë. Disa ditë më parë, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, tha se implikimi është shumë i gjerë, i kaluar në disa shkallë, duke filluar nga veprimet e prokurorëve. Duket se pas kësaj deklarate, organi i akuzës filloi verifikimin duke marrë të dhëna nga Prokuroria e Durrësit se biznesmeni i hekurit, Mihal Delijorgji, u mor i pandehur në vitin 2004 me akuzat "falsifikim dokumentesh" dhe "evazion fiskal". Në kuadër të këtij procesi, ai u arrestua nga policia për t‘u lënë më pas nën hetim në gjendje të lirë në këmbim të garancisë pasurore. Dosja në ngarkim të tij i kaloi për shqyrtim Gjykatës së Durrësit, e cila në përfundim të procesit e shpalli të pafajshëm atë për veprën e falsifikimit, ndërsa e dënoi me gjobë për "evazion fiskal".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›