Berisha shtyn ndryshimet në qeveri
Shefi i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, shtyn përkohësisht ndryshimet e thella në kabinetin qeveritar. Ky vendim i Kryeministrit, i cili shërben për të matur pulsin e deputetëve demokratë, por edhe të aleatëve të tij është bërë me dije nga vetë numri një i qeverisë gjatë konferencës së tij të parë pas kthimit nga Bukureshti. Pak orë para se të nisej drejt kryeqytetit rumun, kreu i qeverisë deklaroi se kabineti ka nevojë për përmirësime, ndërsa 24 orë pas kthimit në Tiranë, Berisha theksoi se "Reformat e këtij kabineti kanë qenë ato që kanë bërë Shqipërinë frymëzuese për vendet e rajonit. Në politikë nuk lëshohet asnjë fjalë pa veta". Në lidhje me zv/kryeministrin e ri, Berisha premtoi se emri i tij do të bëhet publik së shpejti, pasi edhe Kushtetuta e përcakton qartë se një qeveri duhet të ketë në organikën e saj edhe një zv/kryeministër. Ndonëse nuk ka pohuar ndryshimet në qeveri, por edhe duke mos i mohuar ato, Berisha theksoi gjithashtu se republikanët kanë qenë dhe do ngelen aleatët më të mirë të Partisë Demokratike. "Për republikanët, dera e qeverisë është e hapur në çdo moment", tha Berisha. Pas kthimit nga Bukureshti, Kryeministri ka deklaruar se ftesa për anëtarësim në NATO është marrë falë reformave të ndërmarra nga qeveria. "Ftesën e bënë të mundur, reformat e thella ekonomike dhe fiskale që shndërruan vendin në një nga vendet më tërheqëse për turistët, reformat në Forcat tona të Armatosura, të cilat po u afrohen gjithnjë e më shumë standardeve të forcave të aleatëve", tha Berisha. Kryeministri ka vlerësuar edhe bashkëpunimin e opozitës për kryerjen e këtyre reformave. "Ftesa është bërë e mundur nga bashkëpunimi i qeverisë dhe opozitës për reformat në vend", tha Berisha. Kreu i qeverisë është shprehur pro vazhdimit të reformave në vend deri në anëtarësim të plotë të Shqipërisë, këto edhe në bashkëpunim me opozitën. Ne jemi për reforma zgjedhore dhe kundër Dushkut. Duhen përshëndetur propozimet e PS-së, pasi u japin përfaqësimin më të mirë shqiptarëve", tha Berisha. Në lidhje me reformat në institucionet e sigurisë kombëtare, Berisha theksoi se kjo nuk lidhet thjesht me ndryshimin e krerëve të këtyre institucioneve. "Nuk është reformë ndryshimi i krerëve. Reforma është një riorientim, rikoordinim dhe bashkëpunim i të gjitha institucioneve të vendit", theksoi ai.