Ndryshimet në qeveri, aleatët presion Berishës
Përfundimi i Samitit të Bukureshtit e fut koalicionin e djathtë në zonën më të nxehtë të debateve për ndryshimet në qeveri. Aleatët e Partisë Demokratike ndihen të trembur përballë lëvizjeve të fundit që ka ndër mend të kryejë Kryeministri Berisha. Skema përfundimtare e rinovimit të qeverisë deri në këto momente nuk i është bërë e ditur nga kreu i qeverisë asnjë kryetari të partive që janë pjesë e koalicionit mazhoritar. Të kontaktuar nga gazeta "Shqip", të vegjlit e djathtë kanë pohuar se nuk kanë kryer asnjë takim apo negociatë kohët e fundit me kreun e qeverisë që të ketë në thelbin e saj performancën e qeverisjes. Shëndetësia, arsimi, mjedisi dhe Ministria e Punës janë lënë në duart e aleatëve të djathtë, ndërkohë që synimi i demokratëve është që të përqendrojë pushtetin në duart e veta për shkak të pakënaqësive të elektoratit të tyre ndaj ndarjes së pushtetit. Çështjet sociale administrohen prej një kohe të gjatë nga kryetarët e partive të vogla të djathta, çka ka bërë që militantët demokratë ende nuk po gëzojnë pushtetin, pasi aleatët përqendrojnë në dikasteret e tyre njerëzit që mbështesin partitë e tyre. Rreth 80% e buxhetit të shtetit administrohet nga ministrat që janë aktualisht kryetarë partish të vogla të djathta. Nënkryetari i Partisë Demokrate të Re, Tritan Shehu, ka bërë me dije dje se "aktualisht politika shqiptare duhet të përdorohet te reforma zgjedhore, më pas tek objektivat dhe detyrat për t‘u anëtarësuar me të drejta të plota në NATO në Samitin e vitit që vjen dhe më pas të mendojë për ndryshimet në qeveri". Deklarata e Shehut ka ardhur fill pas Samitit të Bukureshtit, ku aleatët kanë deklaruar se do të takohen me Kryeministrin Berisha për të diskutuar analizën e kabinetit qeveritar. Të njëjtën domosdoshmëri për kryerjen e një analize e ka kërkuar disa ditë më parë në grupin parlamentar të PD-së edhe Kryeministri Berisha. Aleatët demokratë, duke filluar nga PDR, PBDNJ, PDK dhe PAA nuk kanë komunikuar deri tani asnjë mesazh negocimi me liderin e PD për rinovimin e kabinetit. Krerët e këtyre partive janë shprehur publikisht se kanë marrë vesh për ndryshimet në kabinet vetëm nëpërmjet medias. Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, ka bërë me dije dje se "Nuk kemi deri tani negociata me Berishën për të ndryshuar kabinetin. Nëse Kryeministri do të ndryshojë qeverinë, atëherë më parë ai duhet të konsultohet me aleatët". Dule shtoi se qeverinë e re, Kryeministri Berisha duhet ta diskutojë më parë edhe me aleatët. Në këtë mënyrë, të vegjlit e djathtë kanë lënë të kuptohet se nuk do të pranojnë nga Kryeministri ndonjë zgjedhje të tij për qeverinë e re, por kanë kërkuar që ndryshimet të bisedohen kokë më kokë me secilin aleatë, ose edhe në një tryezë të përbashkët. Lidhur me pozicionimin e PBDNJ-së, në qeverinë e re "Berisha", Dule është shprehur se "për pozicionin tonë në qeverisje, do të flasim pas NATO-s". Vangjel Dule është ndër të parët aleatë që ka kërkuar rinovimin e kabinetit, megjithatë, në prag të Samitit të Bukureshtit, PBDNJ ndryshon qëndrim duke kërkuar njëherë të përfundimin e Samitit për të bërë tashmë kalkulimet e duhura për lëvizjet në kabinet. Të gjitha këto, Dule ka kërkuar që të bëhen me konsensus të plotë dhe me negociata kokë më kokë me Kryeministrin Sali Berisha. Negociatat brenda mazhorancës gjithmonë kanë qenë një problem madhor për koalicionin blu. Të vegjlit e djathtë janë të destinuar të ndjekin tekat dhe shijet e Kryeministrit, i cili mbledh tryezën apo organizon takime sa herë dëshiron pas insistimit deri në delir të aleatëve të tij. Të njëjtën kërkesë kanë përcjellë edhe demokratë-reformatorët, të cilët kërkojnë me insistim një tavolinë të rrumbullakët me liderin e kampit blu. Partia Republikane, aktualisht ndodhet në një situatë dramatike për shkak të largimit të ministrit të saj të vetëm nga qeveria. Strukturat e larta drejtuese të PR-së kanë vijuar lobingun nëpër rrethe për të rregulluar imazhin e kryetarit të partisë që i përfaqëson. Ajo që vlen të theksohet është fakti se gjithmonë aleatët e Berishës do të jenë të fundit që do të marrin vesh të rejat për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Ndryshimet në qeveri, kanë prekur frikshëm deri në palcë 4 ministrat aleatë në kabinet. Pas largimit të Mediut, i cili është duke u kujdesur për të përmirësuar imazhin, janë 4 ministra si: Lufter Xhuveli, Nard Ndoka, Genc Pollo dhe Kosta Barka që "luftojnë" për të mbijetuar në kabinetin e ardhshëm.