E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Kundër Berishës, nëse LDK nuk bëhet pjesë e qeverisë

Kreu i Lëvizjes Demokristiane, Nikoll Lesi, është shprehur dje për "Shqip" se reputacioni i qeverisë është përtokë, prandaj edhe Kryeministri Sali Berisha duhet të ndryshojë urgjent kabinetin që drejton. "Ndryshimet në qeveri janë urgjente, pasi reputacioni i qeverisë është përtokë. Nëse Berisha nuk operon shpejt, ka gjasa që populli të na i rrahë ministrat sapo të dalin në rrugë", është shprehur dje Nikoll Lesi. Ngjarja e 15 marsit në Gërdec pranë Vorës ishte një humbje pikësh për qeverinë e Kryeministrit Berisha dhe vetë mazhorancës. Në gjykimin e tij mbi ministrat, Lesi bëri me dije se pas ngjarjes së Gërdecit, PD dhe aleatët kanë humbur shumë pikë në publik. Një tjetër propozim i freskët nga radhët e LDK-së është ambicia e Nikoll Lesit për t‘u bërë pjesë e qeverisë "Berisha 3". Për herë të parë, Lesi pohon se "LDK ka të drejtën e përfaqësimit në qeveri, pasi kryetari i saj është pjesëtar i 3 korrikut 2005 dhe jo i pazareve të partive që synojnë blerje deputetësh për të bërë kryetarin ministër". Duke vijuar sulmin ndaj rivalit të tij të kahershëm, Nard Ndokës, ky i fundit i cili vazhdon konfliktet jo vetëm me ish-drejtuesit e PDK-së, por edhe ata që aktualisht janë pjesë përbërëse të partisë që ai vetë përfaqëson, Lesi shprehet se ai duhet të largohet kategorikisht nga pozicioni që ka. Një tjetër ide e kryetarit të Lëvizjes Demokristiane është edhe largimi i tij nga e djathta. Lesi ka premtuar se do të votojë kundër qeverisë "Berisha 3", nëse LDK-ja nuk do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar. "Nëse nuk jemi pjesë të bashkëqeverisjes, atëherë do të votojmë kundër qeverisë "Berisha 3", bile do të shikojmë pozicionin në të djathtën", tha Lesi. Kreu i LDK-së theksoi gjithashtu, se "Kjo e djathtë që tashmë është me Xhuvelin nuk është as djathë e jo e djathtë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›