Ministri i Brendshem inspekton piken kufitare te Kapshtices
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka garantuar se strukturat e policisë kanë marrë të gjitha masat, për të siguruar lëvizjen normale të qytetarëve dhe turistëve në të gjitha pikat doganore, që lidhin vendin tonë me fqinjët, por edhe rendin dhe sigurinë publike në të gjithë territorin e vendit. Gjatë inspektimit të pikës doganore të Kapshticës, ministri Noka, i cili është njohur nga afër me punën e policisë kufitare, ka pohuar se pavarësisht numrit tepër të madh të bashkëqytetarëve tanë, që kthehen në atdhe, por edhe turistëve të huaj, falë masave të policisë, është bërë e mundur që proçedurat e përpunimit të dokumentave, të zgjatin jo më shumë se disa sekonda.Tashmë rradhët kilometrike dhe orët e pritjes nëpër dogana, ka vijuar më tej Noka, kanë mbetur një kujtim i së kaluarës, duke vlerësuar në këtë aspekt edhe bashkëpunim me policinë kufitare greke.
Gjithashtu Noka ka kërkuar nga strukturat e policisë kufitare, që të respektojnë maksimalisht kodin e etikës profesionale dhe qytetare, ndërsa nga strukturat e policisë së qarkullimit, që të marrin masa, për të garantuar lëvizjen normale të mjeteve dhe sigurinë rrugore, jo vetëm në akset nacionale, por edhe në ato dytësore. Nga ana tjetër, Ministri i Bbrendshëm ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit dhe abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të policisë,duke theksuar se tolerance ndaj tyre, do të jetë zero.
Policia kufitare, ka theksuar në vazhdim Noka, ka marrë masa për të shtuar numrin e sporteleve dhe personelit në pikat doganore, gjatë ditëve, kur emigrantët do të kthehen në vendet e tyre të punës.