Çamët paralajmërojnë PD-në: Zbatoni marrëveshjen para 10 gushtit ose votat tona do të jenë për PS-në
Vazhdon të jetë e tensionuar situata mes PD së Durrësit dhe PDIU-së në këtë qytet. Ndërsa pritej një zhvillim pozitiv gjatë këtij muaji që përkonte edhe me zgjedhjen e drejtuesit të këshillit bashkiak Durrës dhe kreut të qarkut, ajo që mund të thuhet me plot gojën tashmë ka të bëjë me marr%dhënie mjaft të acaruara. Edhe pse nuk mohohet fakti që po punohet intensivisht për të sheshuar mosmarrëveshjet, duket se vetë PD ka humbur tashmë besimin dhe po shikon mundësinë e blerjes së votës për këshillin bashkiak. Por iniciativa e re e PD-së për të emëruar drejtora njerëz që nuk janë në koalicionin e saj, por që kanë lidhje me të majtën si koalicion, ka bërë që çamët me të drejtë të jenë më agresivë dhe ta shikojnë heshtjen e PD-së për të zbatuar marrëveshjen si një lloj provokimi dhe natyrisht edhe si një lloj testimi për atë që mund të ndodhë në këshillin bashkiak. Burime nga PD-ja kanë bërë të ditur se ende nuk është arritur në një marrëveshje për drejtoritë që do të marrin çamët, ndërsa këto të fundit akuzojnë se marrëveshja është arritur, por ajo po mbahet si mjet presioni për të parë se çfarë do të ndodhë në këshillin bashkiak. E gjithë kjo ka rritur temperaturën në dy kampet që për hir së vërtetës duhet pranuar se njerëzit që po bëjnë kompromisin ose janë militantë të PD-së dhe tashmë aderojnë te çamët, ose janë të njerëz që kërkojnë të përfitojnë nga partia e Idrizit, pasi vetë PD-ja i la pa poste për një kohë të gjatë. Ndërkohë që situata është bërë mjaft kritike dhe aktualisht PDIU-ja në Durrës nuk komandon asnjë këshilltar, nuk kanë munguar paralajmërimet për të dalë nga koalicioni, pasi sipas çamëve misioni i kësaj partie nuk është për të punësuar apo për të mbajtur në pushtet komunistat, qofshin këto edhe në radhët e PD-së. Ndërkohë që burime zyrtare nga PD-ja kanë bërë të ditur se tashmë në këtë seli ka mbërritur edhe ultimatumi çam, i cili kërkon që të arrihet sa më shpejtë marrëveshja, madje para datës 10 gusht, ku pritet të konstituohet këshilli bashkiak i Durrësit. Por nga PD-ja nuk ka asnjë reagim edhe për faktin se asnjë nga emrat e këshilltarëve të PDIU-së në Durrës nuk komandohet më nga interesat e lidershipit të tyre. Por me gjithë ultimatumin, burime nga PD-ja shprehen se kjo e fundit nuk do të tërhiqet për të bërë emërime para konstituimit të këshillit bashkiak. Për drejtuesit e PD-së në Durrës kjo shihet si një lloj mundësie për të mbajtur dhe kontrolluar votat e PDIU në këshillin bashkiak, por që në fakt nuk mund të ndodhë kështu pasi interesat e këshilltarëve të partisë çame nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat e atyre që po kërkojnë të bëjnë marrëveshje për të emëruar apo zgjedhur drejtora.
