E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romano Prodi viziton qytetin muze të Beratit

Ish-kryeministri italian, Romano Prodi, në vizitën e tij në Shqipëri ka zbritur dje në qytetin e Beratit. Ai ka parë nga afër objektet më me vlerë të këtij qyteti dhe më pas është pritur nga pushtetarët lokalë, kryetari i baskisë, Fadil Nasufi dhe prefekti Thoma Rumniçi në lagjen “Kala” ku ka vizituar muzeun “Onufri” dhe disa nga objektet e kultit që ndodhen në këtë lagje. Ka qenë kryetari i bashkisë Nasufi, i cili i ka uruar mirëseardhjen ish-kreut të qeverisë italiane dhe ka ftuar Prodin dhe zonjën e tij që e shoqëronte për të vizituar pjesën më të rëndësishme të qytetit. Pasi ka vizituar muzeun “Onufri”, Prodi është shprehur se ka ngelur i mrekulluar duke e cilësuar atë si një vlerë që mbart një pjesë të shkëlqyer të historisë. “Në këtë vizitë të radhës në Shqipëri jam ndalur në jugun e Shqipërisë, ndërkohë që në vizitën tjetër do të vizitojë veriun e saj. Shikoj një qytet me trashëgimi të admirueshme fetare dhe dashuri njerëzore, një lagje muze ende të banuar dhe gjeta një muze që tregon vlerat e tij më të mira të historisë’, - u shpreh Prodi gjatë një prononcimi për median. Në lidhje me hyrjen e këtij qyteti ndër vlerat e njerëzimit, UNESCO, Prodi u shpreh se “nuk dua të bëjë arbitrin në lidhje me këtë problem, pasi nuk më takon mua të them nëse Berati do të marrë aprovimin apo jo për të qenë në UNECSO, por unë shikoj një qytet me vlera të mëdha historike të cilat meritojnë të jenë ndër vlerat e njerëzimit ashtu siç meritojnë vlerat natyrore”. Më pas ish-kryeministri i Italisë është ndalur në brendësi të lagjes “Kala”, ku ka vizituar disa nga objektet e shumta muzeale që ndodhen në të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›